Policia e Kosovës për Rajonin e Ferizajt, ka konfirmuar për “RTV Dukagjini” se ka filluar veprimet hetimore për grumbullimin e informacioneve për ndeshjen Ferizaj – Dukagjini.
Ky duel dyshohet se është kurdisur të dielën në Ferizaj, në kuadër të xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në futboll.
“Policia Rajonale e Ferizajt me datë 29.05.2023 nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar një autorizim për grumbullim te informacioneve për ndeshjen futobollistike Ferizaj-Dugagjini, nën dyshimet për kurdisje të ndeshjes që ndëshkohet në bazë të NENI 337 të KPK. Sektori i Hetimeve Rajonale në Ferizaj ka filluar menjëherë veprimet hetimore në grumbullim të informacioneve . Pas përfundimit te hetimeve dhe kompletimit të rastit do të keni informacione të detajuara si në kërkesë. Këto janë informacionet e para që mund ti japim”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt.
“RTV Dukagjini” mëson se Sektori i Hetimeve Rajonale i Policisë së Kosovës në Ferizajt, do të intervistojë disa persona në lidhje me dyshimet për kurdisjen e ndeshjes, Ferizaj – Dukagjini.