Me 29 maj të 2023-s, para komunës së Zveçanit ishin sulmuar Policia e Kosovës dhe KFOR-i ku prej këtyre të fundit 93 ushtarë të ishin lënduar.
Megjithatë, ata që kryen këtë sulm ende janë duke u ndjekur e arrestuar nga organet e rendit dhe kështu u veprua edhe këtë të premte.
“Rreth orës 11:00 kemi asistuar Krimet e Rënda të Prishtinës në arrestimin e një personi në Veri të Mitrovicës. Personi është i dyshuar për rastin e 29 majit 2023 ku 93 ushtarë të KFOR-it ishin lënduar”, ka thënë Veton Elshani, Zv.drejtori i Policisë për rajonin e Veriut.
Edhe Prokuroria Speciale dhanë detaje lidhur me arrestimin.
Prokuroria Speciale informon se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, sot në regjionin e Mitrovicës, ka arrestuar një person M.D, me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese” “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi”, “Sulmi ndaj personit zyrtar”, i njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit do të vazhdohet me veprimet e nevojshme hetimore. -Prokuroria Speciale
Lidhur me sulmin ndaj KFORI-t, Policia e Kosovës ka kryer disa arrestime, e ndaj disave janë marrë edhe vendime gjyqësore.
Dusan Obrenoviq ishte ndër të parët të cilin e kishte arrestuar organet e rendit.
Kurse, Nenad Orloviq, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, u kap nga Njësia Speciale e Kosovës deri sa po punonte në autolarje në veri të Kosovës.
I arrestuar mbeti edhe Lazar Dejanoviq, kurse Sllobodan Miletiqin Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe me 9 mijë e 500 euro gjobë.