Policia e Kosovës, ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.
“Bazuar në informacionet dhe paralajmërimet për mbajtjen e protestave/tubimeve për sot, në disa komuna me komunitet serb, Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Plani operacional i PK-së parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave/tubimeve të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Si çdo herë, Policia e Kosovës, ka ftuar qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.
Lista Serbe, ka paralajmëruar se të mërkurën e 23 nëntorit do të ketë një tubim të madh në pjesën veriore të Mitrovicës me fillim në orën 15:00.
Kështu kishte deklaruar të martën Gordana Saviç, ish-këshilltarja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Do të organizojmë një tubim të madh në të cilën do të dërgohen mesazhe paqeje”, ka thënë Saviç në një konferencë për media.
Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se serbët nuk mund ta tolerojnë “terrorin” e Prishtinës dhe paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet e Kosovës.