Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka identifikuar 18 pasagjerë të huaj e njëherësh, viktima të kontrabandimit me migrantë, pas ndalimit të një minibusi.
Përgjatë zabtimit të detyrës, Njësia e Trafikut Rajonal të Prishtinës ka ndaluar një minibus me targa vendore, të tipit Mercedes, brenda të cilit u identifikuan 11 shtetas nga Siria, 6 nga Egjipti dhe një nga Iraku.
Pasagjerët kanë bërë të ditur se përmes rrugëve ilegale nga Turqia, kishin për qëllim shkuarjen në drejtim të vendeve të BE-së, e gjitha kjo në mënyrë të organizuar dhe të udhëhequr nga disa persona.
Lidhur me rastin, janë angazhuar zyrtarë policorë nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Departamentit për Kufi.
Ndërkaq, në raport bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar, ngasësi i automjetit është arrestuar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Nga ana tjetër, shtetasit e huaj, pas intervistimit nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Prishtinë janë dërguar në qendër të azilit.