Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me vizitën e kryeministres së Serbisë, Ana Brnbaiq, e cila të hënën pritet ta vizitojë Mitrovicën e Veriut.
Policia ka theksuar se gjatë kësaj vizite do ta ofrojë sigurinë e nevojshme për ta mbajtur rendin dhe qetësinë publike.
“Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite e cila realizohet në Mitrovicën e Veriut, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për ta mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës zyrtare të kryeministres së Serbisë, do ta ndërpresë në mënyrë të përkohshme qarkullimin e trafikut.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Njëkohësisht, për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, vijon njoftimi.
Lejen për vizitën e kryeministres serbe në Kosovë e ka dhënë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.