Policia e Kosovës, ka dalë me të dhëna zyrtare në lidhje me dy sulmet fizike që kanë ndodhur këtë të enjte në veri të vendit.
Sipas informacioneve të policisë, paraditen e së enjtes nëntë nxënës të shkollës së mesme të komunitetit shqiptar e kishin vizituar “Kodrën e Minatorëve” që gjendet në zonën e përgjegjësisë së Mitrovicës Veri.
Pas përfundimit të vizitës, të rinjtë ishin kthyer në drejtim të urës kryesore në veri, ku pastaj sipas policisë dyshohet se disa persona kanë dalë nga një automjet i tipit “Renault”, duke e ndaluar dhe sulmuar fizikisht njërin nga nxënësit.
“Këta të rinj pas përfundimit, me t’u kthyer në drejtim të urës kryesore, në afërsi të një udhëkryqi, dyshohet se nga një automjet i tipit Renault (ngjyrë e kaltër), i cili dyshohej se i ka përcjellë/vëzhguar, kanë dalë disa persona të dyshuar, të cilët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta rrahin/sulmojnë njërin nga nxënësit, përderisa të tjerët kanë arritur të largohen nga ai lokacion, në drejtim të urës kryesore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pastaj, sipas policisë, në lokacionin ku ka ndodhur rrahja e nxënësit, ka qenë i pranishëm edhe kameramani i Insajderit, i cili teksa ishte duke e xhiruar autoambulancën dhe nxënësin e rrahur, është sulmuar fizikisht nga disa persona të dyshuar, të cilët sipas policisë dyshohen se janë të njëjtit që e kishin sulmuar nxënësin.
“Më pas në atë lokacion ku ka ndodhur rasti i sulmit ndaj nxënësit, përderisa ka shkuar dhe ka qenë në kryerje të detyrës një punonjës (kameraman) mashkull/kosovar i portalit “Insajderi” nga Kosova, i cili ishte duke e xhiruar autoambulancën që po e trajtonte rastin e fëmijës së sulmuar, dyshohet se i njëjti është penguar në kryerje të detyrës si dhe është goditur/sulmuar fizikisht nga personat e dyshuar të cilët dyshohet se mund të kenë qenë personat e njëjtë”, thuhet në njoftim.
“Punonjësit (kameramanit) personat e dyshuar të cilët, sipas viktimës, kishin folur në gjuhën serbe, përveç sulmit/goditjeve të ushtruara ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin (celularin), pasi ka incizuar dhe ka pasur dëshmi të rastit. Më pas viktima (kameramani) ka marrë tretman mjekësor në emergjencën rajonale të Mitrovicës Jugu”, vijon njoftimi.
Policia ka bërë të ditur se kameramani dhe nxënësit e tjerë në prezencë të zyrtarëve të QPS-së janë intervistuar në stacionin policor, përderisa lidhur me rastin janë njoftuar edhe kompetentët e shkollës të cilës i përkasin nxënësit.
“Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, në bashkëpunim me organet e drejtësisë në rastin “Sulm&lëndim trupor” që ndërlidhen njëra me tjetrën, është duke kryer hetime, me qëllim të ndriçimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime, që të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimi apo incidente të mundshme.