Policia e Kosovës ka reaguar ndaj disa shkrimeve të publikuara kryesisht në mediat serbe, të cilat i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Sipas këtyre raportimeve, një grup i armatosur i Policisë së Kosovës thuhet të ketë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Policia e Kosovës e ka cilësuar këtë informacion si të pavërtetë dhe një dezinformim që synon të krijojë pasiguri tek qytetarët e rajonit dhe të njollosë imazhin e institucionit.
“Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijoj pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në reagimin e saj, PK-ja ka theksuar se këto lajme janë të rreme.
“Policia e Kosovës, si institucion i besueshëm dhe transparent do kujdeset në vazhdimësi që të ofrojë informacione zyrtare për media dhe opinionin e gjerë, kurdo që ato kërkohen dhe janë të nevojshme për media dhe publikun”.