Policia e Kosovës ka njoftuar se ka dërguar zyrtarin e parë ndërlidhës në EUROPOL, major Besnik Sallahu.
Në komunikatën për media nga policia thuhet se Sallahu tashmë ka filluar zyrtarisht detyrën.
“Policia e Kosovës (PK), në vazhdën e avancimit dhe rritjes së mëtejme të kapaciteteve në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, konkretisht të bashkëpunimit me EUROPOL-in, tani më ka dërguar zyrtarin e parë ndërlidhës në EUROPOL, i cili ditë më parë ka filluar zyrtarisht detyrën”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se qëllimi primar i PK-së vazhdon të mbetet avancimi i mëtejmë i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me EUROPOL-in.
“Bashkëpunim ky i cili ndihmon dhe ndikon në lehtësimin e komunikimit dhe krijimit të një partneriteti të drejtpërdrejtë”.
Kjo, duke përfshirë edhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet EUROPOL-it dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, në angazhimin e vazhdueshëm të luftës së përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe të gjitha formave të tjera të krimit.