Të enjten e 20 tetorit, Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet i cili ka kontabanduar 700 litra vajra motorike nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë.
Njësitet e Task Forcës operative të lindjes janë informuar se një kombi i bardhë pa targa, i dyshuar me mallrat të kontrabanduara po vinte drejt Kosovës, më saktësisht në fshatin Drobesh të Komunës së Vitisë.
Pas pranimit të informatës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike, duke bërë kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe rrugët dytësorë të fshatrave të Vitisë.
Mallrat e shkarkuara nga automjeti i bardhë janë ngarkuar në një mjet tjetër transportues WV Caddy, ngjyrë e kuqe me targa vendore, i cili është nisur në drejtim të rrugës Viti-Gerlicë.
Gjatë një veprimi taktik, Policia e Kosovës ka arritur që në fshatin Sodovinë, komuna e Vitisë, ta ndalojë automjetin e lartcekur i cili drejtohej nga i dyshuari me inicialet B.K nga Ferizaj.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur 70 pako me nga 10 litra vaj, të cilat ishin kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë.
Ndërkaq, rasti është duke u trajtuar nga autoritetet për procedura të mëtejme ligjore.