Pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët, janë vendosur në magjistralen Mitrovicë–Leposaviq, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Përmes një njoftimi, Policia e Kosovës ka thënë se ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj, ashtu që të arrihen objektivat drejt një ambienti më të sigurt.
“Në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj në mënyrë sa më racionale në arritjen e objektivave të ligjshme në gjithë vendin, me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi.”, thuhet në njoftim, gjersa theksohet se Policia e Kosovës është e përkushtuar për ta ruajtur rendin dhe për ta garantuar sigurinë e përgjithshme në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Krahas kësaj, PK ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe në ofrimin e informatave relevante dhe raportimin e rasteve për adresimin e tyre me profesionalizëm në të mirë të të gjitha komuniteteve, pa dallim.
Ndërkaq, janë shënuar afro dy javë që nga vendosja e barrikiadave në Veri të Kosovës.