Policia e New York City-t ka bërë publik emrin e një personi të cilin po e kërkon në lidhje me sulmin e së martës në stacionin e metros në Brooklyn, ku mbetën të lënduar mbi 20 persona, dhjetë prej tyre me plagë të marra nga armë zjarri.
Frank R. James 62 vjeçar, është duke u kërkuar nga Policia, pasi që ky i fundit ka dhënë hua një furgon U-Haul, që mund të ketë lidhje me sulmin.
”Ne jemi duke synuar të përcaktojmë nëse ai ka ndonjë lidhje me sulmin”, ka thënë kryeshefi i detektivëve të Policisë së New Yorkut, James Essig.
James nuk është cilësuar si i dyshuar në sulm, por si ”person me interes”, që nënkupton se policia ka dyshime se ai mund të ketë informacione në lidhje me sulmin.
Mediat e huaja kanë shkruar se në vendin e krimit është gjetur çelësi i furgonit të James, si dhe një kartë krediti që kishte marrë në Philadelphia.
New York Times ka raportuar se 62 vjeçari, i cili ka banuar në Wisconsin dhe Philadelphia, duket se ka postuar dhjetëra video në rrjetet sociale vitet e fundit, duke e kritikuar kryebashkiakun e New Yorkut, Eric James.
Pas sulmit, gjurmët e tij janë zhdukur.
Departamenti i Policisë së New Yorkut ka bërë thirrje se kushdo që ka informata për vendndodhjen e 62-vjeçarit të telefonojë.
Në konferencë për media, të martën pasdite, Policia ka bërë të ditur se i dyshuari fillimisht ka hedhur dy bomba tymosëse dhe më pas ka hapur zjarr në stacionin e trenit.
Sulmi ka ndodhur para orës 8:30 të mëngjesit me kohë lokale, dhe është përdorur armë Glock 9 mm.
”Ai ka shtënë së paku 33 herë, duke qëlluar dhjetë persona”, ka thënë Essig. Janë qëlluar shtatë burra dhe tri gra.
13 persona tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të tymit apo nga rrëzimet në tentim për të ikur.
Nga ky sulm, autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë për një akt terrorist, edhe pse për momentin nuk trajtohet si i tillë, pasi që nuk dihen ende motivet e autorit.