Të hënën e 29 gushtit, Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan ka filluar me zbatimin e projektit “Patrullimi Inteligjent’’, përmes automjeteve policore me pajisje inteligjente, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve operative që synojnë rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.
Sipas njoftimit të Policisë, këto automjete janë të pajisura me senzorë e radarë, të cilat gjatë lëvizjes së veturës monitorojnë rrugën, identifikojnë kundërvajtësit, duke bërë matjen e shpejtësisë se mjeteve në lëvizje në këndin 360 shkallë dhe kanë mundësinë për detektimin e tejkalimit në vijë të plotë.
Po ashtu mundësojnë detektimin e përdorimit të telefonit, dhe kundërvajtjeve tjera në komunikacionin rrugor, duke dërguar të dhëna në kohë reale në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës.
“Në ekranin e vendosur brenda veturës, zyrtarët policorë mund të shohin veturat që janë në rrugë se me çfarë shpejtësie po lëvizin, do të kenë informacione edhe për targat e veturës së detektuar e detaje të tjera që e bëjnë më të lehtë identifikimin e kundërvajtësve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu nëpërmjet këtyre pajisjeve bëhet leximi i targave dhe identifikimi i mjeteve të paregjistruara, targave të vjedhura dhe identifikimi i personave në automjetet në lëvizje të cilët janë të kërkuara nga organet drejtësisë.
“Qëllimi i Policisë së Kosovës nuk është gjobitja e ngasësve të veturave, por parandalimi i aksidenteve të trafikut”, thuhet tutje.