Policia e Kosovës ka gjetur armët që dyshohet se janë përdorur në vrasjen e ndodhur më 25 mars në Prishtinë.
Armët u zbuluan të fshehura në magjistralen Prishtinë-Mutivodë, si rezultat i hetimeve të vazhdueshme të autoriteteve. Sipas njoftimit zyrtar, policia ka sekuestruar tre armë zjarri: një AK-47, një pistoletë TT dhe një pistoletë COLT.
“VRASJE E RËNDË NË BASHKËRYERJE&ARMËMBAJTJE PA LEJE / Rr. “Bajram Kelmendi-Rrustem Hyseni”, Prishtinë / 25.03.2025 – 22:25. Lidhur me rastin e datës së lartcekur Policia e Kosovës ka siguruar informacione se armët e përdorura në kryerjen e veprës penale të lartcekur gjenden të fshehura në magjistralen Prishtinë – Mutivodë. Lidhur me rastin në lokacion kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe në konsultim me prokurorin e rastit kanë bërë sekuestrimin e tri armëve të zjarrit: një armë zjarri AK 47, një armë zjarri e tipit TT dhe një armë zjarri COLT. Policia e Kosovës po vazhdon të punojë intensivisht në hetimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.