Policia po heton një kërcënim në internet ndaj JK Rowling, pasi ajo postoi në Twitter mbështetje për Salman Rushdie pas sulmit ndaj tij në SHBA.
Autorja e “Harry Potter”, 57 vjeç, ndau pamjet e një mesazhi ku thuhej “Mos u shqetëso, ti je në radhë”.
E njëjta llogari në Twitter postoi gjithashtu mesazhe duke lavdëruar njeriun që sulmoi zotin Rushdie në skenë në një ngjarje në shtetin e Nju Jorkut.
Rowling kishte bërë të ditur se Policia është duke hetuar rastin.
Tweet-i, nga një llogari në Pakistan, ishte hequr të dielën në mëngjes.
Një zëdhënës i policisë së Skocisë tha “Ne kemi marrë një raport për një kërcënim në internet dhe policët po kryejnë hetime.”
Oficerët kishin hetuar më parë kritikat në internet të shënjestruara ndaj Rowling mbi pikëpamjet e saj mbi çështjet transgjinore.
Rowling është në mesin e shumë autorëve dhe figurave publike që kanë shprehur mbështetje për Rushdie.
Warner Bros Discovery, kompania argëtuese që qëndron pas serisë së filmave “Harry Potter”, tha se do të dënojë ashpër kërcënimet ndaj saj.
Në një deklaratë thuhet “Ne qëndrojmë me të dhe me të gjithë autorët, tregimtarët dhe krijuesit që shprehin me guxim krijimtarinë dhe opinionet e tyre”.
Romancieri 75-vjeçar u përball me vite të tëra me kërcënime me vdekje për romanin e tij “Vargjet Satanike”, të cilin disa myslimanë e shohin si blasfemi.
Ai u detyrua të fshihej për gati 10 vjet pasi u publikua në 1988.
Personi i akuzuar për sulmin e së premtes është deklaruar i pafajshëm për tentativë vrasjeje dhe është lënë në paraburgim pa lirim me kusht.
Hadi Matar, 24 vjeç, akuzohet se ka goditur me thikë Rushdie të paktën 10 herë në fytyrë, qafë dhe bark.
Autori është hequr nga një ventilator dhe është në gjendje të flasë përsëri.