Policia i ndjek “rrënjët” e sulmit terrorist, bastis 13 lokacione në veri

Vetëm gjatë ditës së hënë në kuadër të hetimeve për sulmin terrorist në Banjskë Policia e Kosovës ka kryer bastisje në 13 lokacione të ndryshme në veri të vendit. Shtatë prej tyre janë realizuar në Mitrovicën Veriore, tri në Leposaviq edhe tri në Zveçan. Dukagjini e ka ndjekur hap pa hapi këtë aksion të Policisë, gjatë së cilit nuk kishte të arrestuar, e nuk u kuptua se çka u gjet gjatë kërkimeve

Beteja e Banjskës ende nuk ka përfunduar.

Sulmi terrorist u zmbraps, e tash po kërkohen rrënjët e tij nëpër komunat veriore.

Detajet e planit po i marrin në stacion policor në Jug, ndërsa tash po bëhen gati të nisen për në destinacion. Anti-plumbat në trup, helmetat në kokë, armën e gjatë në krahë, të gatshëm për bastisjet e radhës, plot 13 sosh.

Lokacioni është 35 kilometra më larg.

Kolonës i prijnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, ndërsa prapa u janë bashkuar edhe pjesëtarët e EULEX-it.

Rruga për në Leposaviq është malore, e kushtet atmosferike jo fort të favorshme.

Tash po i afrohemi qytetit.

Perimetri sigurohet e bastisja fillon sipas planit.

Për shkak se është zonë e banueshme kërkohet më shumë vëmendje. Çdo cep i lagjes po monitorohet nga specialët.

Shtëpia që po bastiset është mbuluar pothuajse në çdo pjesë nga kamerat.

Sipas mediave lokale serbe ajo i përket familjes Jevremoviq. Ajo thuhet ka në pronësi edhe një bujtinë dhe një kafene në qendër të Leposaviqit, si dhe kultivojnë boronica.

Kjo familje posedon prona edhe në fshatin e afërt Trikos. Edhe aty, sipas këtyre mediave është kryer bastisje nga Policia.

Për të gjetur atë që kërkonin u përdorën edhe shkallët në oborr, por ishte e pamundur të shihet se çka u gjet. Vigjilent u treguan edhe me vende tjera, përfshirë bunarin e ujit në oborr.

Kjo është kronologjia e bastisjes që zgjati më shumë se dy orë në Leposaviq. Nga aty u hetuesit dolën me dokumente në duar e plastika që shërbejnë për bartje të gjësendeve. Për asnjërën nuk u njoftua se çka përmbajnë.

Pos bastisjes në Leposaviq në mëngjes janë kryer aksione edhe në Mitrovicën Veriore.

Një ndër disa lokacionet në të cilat Policia e Kosovës ka kryer bastisje është këtu afër tre rrokaqiejve, por se çka është gjetur gjatë bastisjes, deri më tani nuk është bërë e ditur.

Njësitet Speciale zbarkuan edhe në afërsi të shkollës së mesme të mjekësisë.

Këtu prania e tyre u prit me interes nga banorët, e nga disa edhe më bërtitma e fyerje.

Nuk u kuptua cila është adresa, por në hyrje të ndërtesës është e vendosur kjo reklamë e biznesit të masazhës me emrin “Radovic”.

Këtu aksioni nuk zgjati më shumë se 30 minuta, e prapë nuk u kuptua çka u gjet.

“Nuk mund të konfirmoj se çka është gjetur, sepse kjo është pjesë e hetimeve, kur të përfundoj aksioni mund të tregojmë më shumë”, ka thënë zv.drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Edhe pse aksioni përfundoi, sërish nuk u dhanë detaje për të gjeturat gjatë bastisjes, përpos se nuk ka të arrestuar.

Këto janë vetëm 3 nga 13 bastisjet të cilat Policia e Kosovës i ka kryer vetëm gjatë së martes.

Shtatë bastisje janë kryer në Mitrovicën Veriore, tri bastisje në Leposaviq dhe tri në Zveçan.

 

 

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika