Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me sulmin që u është bërë atyre në veri nga një grup personash, teksa kanë qenë duke e luftuar kontrabandën.
Sipas njoftimit të policisë, në këtë rast janë arrestuar pesë persona të dyshuar për kontrabandë me mallra dhe sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa një person i dyshuar ka arritur t’i shmanget arrestimit dhe është larguar në drejtim të panjohur.
“Si rezultat i aktiviteteve policore në brezin kufitar, më 11.08.2023, rreth orës 03:20, bazuar edhe në informata që ka poseduar policia, ka reaguar në fshatin Kovaç (Farkëtarët), zona e përgjegjësisë e Stacionit Policor Kufitar-Jasenovik. Në këtë rast janë arrestuar pesë persona të dyshuar për kontrabandë me mallra dhe sulëm ndaj personit zyrtar, ndërsa një person i dyshuar ka arritur të shmanget arrestimit dhe është larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje thuhet se për të vënë situatën nën kontroll, për të evituar sulmin e mëtejmë dhe për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm ndaj zyrtarëve policorë, janë përdorur pajisjet zyrtare, konkretisht armët e zjarrit nga zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast.
“Në këtë operacion, janë sekuestruar katër vetura të cilat kanë qenë të përfshira në rastin konkret ku një njërën prej tyre është hasur një sasi e cigareve, të cilat dyshohet se ishin duke u kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Serbia. Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante. Rasti është duke u trajtuar nga hetuesit e Drejtorisë Rajonale Veriu, në koordinim me organet tjera kompetente”, thuhet tutje.
Policia e Kosovës e ka arrestuar Besim Zeqirin i njohur me nofkën “Kaça”, i cili dyshohet se është një nga personat kryesor të kontrabandës nga Serbia në Kosovë, respektivisht në veri.
Kështu bëhet e ditur nga burimet e Portalit Dukagjini, të cilat mësojnë se ai është arrestuar në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës, ku Zeqiri bashkë me katër serbë dyshohet se kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë së Kosovës.
Shkëmbim zjarri mes Policisë dhe të dyshuarve për kontrabandim në veri