Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje.
Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Po është arrestuar. Të njëjtit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë Rugova.
Të martën, Policia e Kosovës kishte shpallur në kërkim xhudistin Akil Gjakova si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje.
“Personi i kërkuar është: AKIL (Luan) GJAKOVA i lindur me 04.01.1996 nё Pejë.
I pandehuri është i kërkuar për veprën penale: “Dhunё nё familje””, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, vijon njoftimi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar arrestimin dhe marrjen e masave ligjore ndaj xhudistit kosovar.
Është bërë e ditur se ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.
Në një përgjigje për Dukagjinin, zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka dhënë më shumë detaje.
“Prokurori i shtetit ka pranuar një procesverbal te një kontesit civil nga gjyqtari dhe është njoftuar nga avokatja e palës së dëmtuar se ka element të veprës penale të dhunës në familje. Menjëherë është autorizuar Policia e Kosovës nga Prokurori i shtetit për arrestimin e të dyshuarit dhe marrjen e masave ligjore ndaj tij”, ka thënë Nikçi.