Policia e Kosovës të enjten ka shoqëruar në polici dhjetë persona, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Gjatë këtij operacioni policor është bërë kontrollimi i shtëpive me objektet përcjellëse dhe i një lokali në njëmbëdhjetë lokacione, në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan.
“Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të PK-së, bashkë me njësitet mbështetëse policore, ka bërë realizimin e një urdhër-kontrolli, bazuar në hetimet që ishin zhvilluar më herët në lidhje me dyshimet për veprën penale nga Neni 364 i KPRK-së ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit të lokacioneve të lartcekura janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë materiale si në vijim: dy pushkë automatike AK 47, dy pushkë gjuetie, një pistoletë, pesë karikatorë, njëqind e gjashtëmbëdhjetë fishekë të kalibrave të ndryshëm etj.
Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.