Policia e Kosovës ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me raportimet në media dhe portale për pretendimet se Qeveria e Kosovës ka planifikuar t’i heqë disa nga kompetencat e Njësisë së Ndërhyrjes Speciale të Policisë së Kosovës.
Në njoftim, Policia e Kosovës ka theksuar se të gjitha autorizimet policore janë të përcaktuara me ligj dhe akte tjera normative, duke përfshirë organizimin dhe strukturimin e brendshëm policor.
Autoritetet shtojnë se detyrat specifike të punonjësve, duke përfshirë Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese, janë të rregulluara me përshkrim të detyrave dhe përgjegjësive të vendit të punës dhe se ato nuk kanë ndryshuar.
“Policia e Kosovës (PK), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar duke iu referuar disa shkrimeve të publikuara në media/portale të ndryshme, ku thuhet se kinse Qeveria e RKS-së i heq disa nga kompetencat e Njësisë Speciale Intervenuese të PK-së informon dhe sqaron se;
Të gjitha autorizimet policore janë të përcaktuara me ligj dhe akte tjera normative, të cilat në vija të përgjithshme përshkruajnë organizimin dhe strukturimin e brendshëm policor, përderisa detyrat specifike të punonjësve sipas pozitave, përshirë Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese, janë të rregulluara me përshkrim të detyrave dhe përgjegjësive të vendit të punës, autorizime dhe detyra këto të cilat kanë qenë dhe mbesin të pandryshuara”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu, sipas njoftimit, bazuar në strukturën organizative të Policisë së Kosovës e ndryshuar dhe miratuar vitin e kaluar, njësive të specializuara i është kushtuar rëndësi e veçantë, duke i ngritur nga siç ka qenë Divizion i Njësive të Specializuara, tani në Departament të Njësive të Specializuara, përfshirë këtu edhe avancimin e NJSI-së nga Njësi në nivel të Drejtorisë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të zhvillimit, avancimi dhe ngritjes profesionale të të gjitha njësive policore, me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe vendit”, thuhet tutje në njoftim.
Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës (NJSI) dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME), në nëntor të vitit 2023 protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit të pagesës për rrezikshmërinë në punë.
Po ashtu, më 9 dhjetor 2023, pjesëtarët e NjSI-së së bashku me pjesëtarët e Sindikatës së Policisë sërish protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Ata kanë protestuar për shkak të pagave, shtesave të rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore dhe kërkesave të tjera.
Një nga kërkesat e tyre ishte që shtesa për rrezikshmëri të jetë 50 për qind e pagës së tyre bazë, e jo siç i ka përcaktuar Qeveria në shtatë kategori, me vlera të ndryshme monetare.