Policia shqiptare e ka arrestuar një të dyshuar të enjten, në shtëpinë e të cilit e ka gjetur një sasi të madhe armatimi dhe municioni në një fshat në qytetin jugperëndimor të Shqipërisë, Vlorë.
Drejtori i Policisë në Vlorë, Ermal Muçaj, tha në një konferencë për media se Policia u ndihmua nga Forca Speciale “RENEA” gjatë hetimeve dhe operacionit “për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve kriminale”.
Muçaj tha se i arrestuari është Luciano Deraj alias “Albano”, banor i fshatit Babicë e Madhe në Vlorë, dhe anëtar i një grupi kriminal në këtë qytet.
Luciani Deraj dyshohet për kryerjen e dy veprave të rënda kriminale kohë më parë në Vlorë, theksoi Muçaj, pa specifikuar se për çfarë veprash bëhet fjalë.
“Ai posedonte një arsenal armësh, municionesh luftarake dhe lëndë shpërthyese, për llogari të tij dhe të personave të tretë, anëtarë të një grupi kriminal në qytetin e Vlorës, të cilit i atribuohen disa ngjarje kriminale”, tha Muçaj.
Në mesin e armëve që forcat policore i gjetën në shtëpinë e tij janë, një snajper, një pistoletë, një pistoletë-stilolaps, një armë ruse e kalibrit 12 milimetërsh, një minë e përshtatur me celular dhe eksploziv plastik, si dhe shtatë copë kallëp lëndë eksplozive plastike te kapaciteteve 200 dhe 400gr, sipas Muçajt.
Vlora është cilësuar nga autoritetet e policisë dhe prokurorisë në Shqipëri si një nga qarqet me nivelin më të lartë të kriminalitetit. /REL