Një person në Prizren po hetohet nga Policia e Kosovës pasi ka grisur Kuranin, librin e shenjtë të fesë Islame.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka sqaruar për Dukagjinin se i dyshuari nuk është arrestuar.
Megjithatë, ndaj tij është iniciuar një rast për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Policia ka njoftuar edhe prokurorin e shtetit, i cili do të vendosë për hapat e mëtejshëm.
“Njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin zyrtar të Policisë.
Ngjarja ka ndodhur më 3 mars 2025, rreth orës 12:10 në Prizren.
Ende nuk dihen motivet e personit të dyshuar dhe as masat që do të merren ndaj tij.