Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndërhyrë në tri raste të ndara të kontrabandimit në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Më 5 shtator, rreth orës 06:35, në kufirin mes fshatrave Stublinë dhe Dobrosinë, është ndaluar një automjet me targa serbe.
Në automjet u gjetën 340 kilogramë duhan të ndryshëm, me një vlerë prej 20 mijë euro.
“Duhani ishte i llojeve si: Malbooro slim, Malboro silver, Sobranie dhe Tabako dhe arrinte në peshë të përgjithshme prej gjithsej 340 kg dhe për të njëjtin posedonte dokument mbi prejardhjen e mallit, ndërsa vlera e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 euro”, thuhet në njoftim.
Duhani dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar për procedura të mëtejshme.
Ndërsa, rasti i dytë ka ndodhur më 4 shtator, rreth orës 18:40, në kufirin mes fshatrave Breznicë dhe Karaçevë e Poshtme, është ndaluar një automjet me targa vendore që po hynte ilegalisht nga Serbia.
Automjeti kishte 798 shishe birrë Zajracko pa dokumente.
Ndërkaq, në ditën e njëjtë dhe në të njëjtën zonë kufitare, rreth orës 19:50, është ndaluar një tjetër automjet me targa vendore që po hynte ilegalisht nga Serbia. Ky automjet kishte 27 pako speca (rreth 300 kg) pa dokumente.
Të gjitha mallrat dhe automjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme.