Një qytetar serb nga Kllokoti u ankua se është rrahur mëngjesin e hershëm të së shtunës, teksa ishte duke u kthyer nga liturgjia e Krishtlindjes.
Për këtë rast mediat serbe raportuan se e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka deklaruar se Stefan Tomiq është rrahur nga një grup i shqiptarëve.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se një rrahje ka ndodhur, por ky institucion ka mohuar se ka ndonjë të dyshuar, ashtu siç pretendojnë mediat serbe.
Ndërkohë që RTV Dukagjini ka siguruar një video të cilën policia po e përdor si pjesë të hetimeve të rastit.
Në këtë video vërehen disa persona duke lëvizur, mirëpo aty nuk shihet të këtë ndodhur ndonjë konflikt.
Zëdhënësi i i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i tha televizionit se informatën për një rrahje në rrugën Kllokot-Viti e pranuan rreth orës 3:20.
Sipas tij, ankuesit kanë qenë nën ndikim të alkoolit.
“Njësitet policore, me urgjencë i janë përgjigjur rastit. Policia ka kontaktuar me ankuesit, por nuk kanë arritur të takojnë apo identifikojnë të dyshuarit e mundshëm. Pasi ankuesit ishin nën ndikim të alkoolit njëri 1.63 promila dhe tjetri 0.91 promila nuk janë intervistuar fillimisht. Bazuar në informacionet e para kemi te bëjmë me një rrahje në mes dy grupeve të personave dhe si pasojë një person ka marrë lëndime të lehta trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’”, ka thënë Hashani.
Mirëpo, televizioni ka mësuar se deklaratat e raportuesit të rastit kanë qenë kontradiktore, por megjithatë po hetohet çdo version i thënë.
Ndërkohë, Hashani tutje ka thënë se po grumbullojnë dëshmitë për të zbardhur këtë rast.
“Njësitë policore të Hetimeve Rajonale Gjilan se bashku edhe me hetuesit e Stacionit Policor Kllokot kanë vazhduar procedurat hetimore duke bërë shikimin e vendit të ngjarjes, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë që janë në atë zonë ku dyshohet të ketë ndodhur rasti. Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e Shtetit e shtetit po punojnë intensivisht në grumbullimin e dëshmive lidhur me rastin dhe zbardhjen e tij, në mënyrë që të dyshuarit të vihen para organeve të drejtësisë”, ka shtuar Hashani.
Televizioni ka tentuar që të marrë dhe një përgjigje nga Prokuroria Themelore në Gjilan në lidhje me rastin, por zyrtarë të këtij institucioni nuk kanë qenë të qasshëm.
Mirëpo, burimet e Dukagjinit kanë treguar se me rastin po merret prokurorja kujdestare, Sllavica Petkoviq.