Policia e Kosovës, të enjten e pesë majit ka raportuar për dy vdekje të dyshimta brenda 24 orëve të fundit. Viktimat raportohen të jenë gjetur në Fushë Kosovë dhe Shtime.
Të mërkurën e katër majit, një person është gjetur i shtrirë në një rrugë në Komunën e Fushë Kosovës.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se, fillimisht, viktima është dërguar në emergjencë, e më pas është konstatuar vdekja e tij.
“Raportohet se në rrugë është gjetur i shtrirë, viktima mashkull kosovar. Viktima është dërguar në emergjencë, ku mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve.
Një rast tjetër i hapur si “vdekje e dyshimtë” nga policia, është raportuar në Shtime.
Të mërkurën, viktima është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj, e cila pasi është dërguar në emergjencën e Ferizajt, është konstatuar edhe vdekja e saj.
Policia njofton se rasti vazhdon të jetë nën hetime.
“Raportohet se viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Viktima është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, ku nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Rasti nën hetime”, vijon raporti.
Ndryshe, sipas statistikave të përgjithshme të policisë, brenda 24 orëve të fundit janë arrestuar 26 persona, dhe 19 janë dërguar në mbajtje.
Po ashtu, sipas raportit, 19 aksidente trafiku me të lënduar raportohet të kenë ndodhur të mërkurën e katër majit, ndërsa 48 të tjera me dëme materiale.