Policia e Kosovës ka bërë të ditur se manifestimet e “Vidovdanit”, kanë kaluar pa ndonjë incident.
Ata kanë theksuar se i kanë marrë të gjitha masat paraprake në mënyrë që kjo ngjarje të zhvillohet e qetë.
Po ashtu theksohet se një person është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar.
Sipas njoftimit, pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites, të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.
Njoftimi i plotë:
“Ju njoftojmë se lidhur me manifestimet e “vidovdan-it” mbajtur sot me datë 28.06.2024, Policia e Kosovës, me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.
Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë të zhvillohen qetë dhe pa incidente.
Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuar policore në teren nuk është raportuar asnjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të një personi në stacion policor për intervistim sipas procedurave ligjore.
Pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”.