Policia e Kosovës të enjten e shtatë korrikut ka zhvilluar një aksion për bastisjen e disa lokacioneve në komunën e Shtëprcës.
Lajmin për Portali Dukagjini e ka bërë të ditur prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.
Ai ka theksuar se ky aksion ndërlidhet me disa të arrestuar në rastin “Brezovica”.
“Ky aksion nuk lidhet direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë por ndërlidhet me disa të arrestuar të Brezovicës pasi që njëri nga ta, përkatësisht ish-kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale e që këto struktura kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, ka thënë Maloku.
Sipas tij, janë katër lokacione të bastisura, ku po largohen edhe kamerat e sigurisë.
“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit”, shtoi ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, aksionin “Brezovica” e kishte nisur më 21 dhjetor të vitit 2021. Nga aksioni i parë ishin arrestuar 10 persona.
Lidhur me rastin, është arrestuar edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç.
Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte deklaruar se Nikolliç, kishte përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.
Për këto arrestime, kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë, në krye të saj ishte Nikolliç, nga radhët e Listës Serbe.
Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
Ai, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.
Përveç Nikoliç, janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore.
Pos aksionit të parë, lidhur me rastin “Brezovica”, janë zhvilluar edhe aksione të tjera nga të cilat kanë përfunduar edhe me dhjetëra persona të tjerë të arrestuar nga Policia e Kosovës.