Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka ngushëlluar familjarët për vdekjen e ish presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit.
Jahjaga, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Nishanin e ka kujtuar si një figurë unifikuese edhe atëherë kur polarizimet politike dukeshin të pakalueshme.
‘’Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Me Presidentin Nishani kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë gjatë mandateve tona presidenciale, si dhe një koordinim të shkëlqyeshëm ndërmjet të dy presidencave. I matur, pozitiv dhe shumë i përkushtuar në detyrë, Presidenti Nishani ka qenë një figurë unifikuese edhe atëherë kur polarizimet politike dukeshin të pakalueshme. Odetës, Fionës, Ersit si dhe mbarë familjes Nishani e shtetit shqiptar, i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe! Bujari u prehtë në paqe!’’, ka shkruar ish presidentja.
Për vdekjen e ish presidentit shqiptar ka shkruar edhe Ish presidenti i Kosovës dhe njëherësh lideri i Aleancës Kosova e Re(AKR), Behgjet Pacolli.
Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Nishanin do ta kujtojë si një njeri të urtë, të respektuar dhe me integritet të lartë.
‘’Sapo mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mikut tim shumë të afërt, Ish-Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani. Atë do ta kujtoj gjithmonë si njeri i urtë, i respektuar dhe me integritet të lartë. I bindur që do ti mungon për gjithmonë kombit. Shprehi ngushëllimet e mia familjes Nishani dhe çdo shqiptarit, kudo!’’, shkruhet në postimin e ish presidentit Pacolli.
Edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar presidentin Nishani si një udhëheqës me integritet dhe kontribues për demokraci.
”Paska ndërruar jetë Presidenti Bujar Nishani. Bashkëndjejmë me familjen dhe të afërmit për këtë humbje të madhe.
Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri.
U prehtë në paqe!’’, ka shkruar Haradinaj.
Ish presidentin shqiptar e ka kujtuar edhe ish ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Ai ka shkruar se vdekja e Nishanit është një humbje për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët pasi që Nishani ishte një ndër politikanët më shembull i cili ka punuar shumë për interesat e kombit shqiptar.
‘’Me dhimbje të madhe mora lajmin për vdekjen e ish-presidentit shqiptar Bujar Nishani. Humbje e madhe për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Ishte ndër politikanët më shembull, dinjitoz dhe mik i imi i ngushtë! Një atdhetar i madh, që punoi shumë për interesat e kombit shqiptar. Ngushëllime të sinqerta familjes Nishani, miqve dhe të gjithë kombit shqiptar. U prehsh në paqe President!’’, ka shkruar në ‘Facebook‘ Hoxhaj.
Edhe ish kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka bërë një postim në rrjetin social ‘Facebook’, duke shkruar se Nishanin do ta kujtojë Kosova e në veçanti Gjilani, si një president i cili ka dhënë kontribute të mëdha për shqiptarët.
‘’Na paska lënë ish-presidenti i shqiptarëve dhe miku im i madh, Bujar Nishani. Kosova, e në veçanti Gjilani do ta kujtojnë përgjithmonë me pietetet më të larta për kontributin e jashtëzakonshëm dhe kujdesin e treguar institucional. Lavdi përjetë President i shqiptarëve dhe Qytetar Nderi i Gjilanit!’’, ka shkruar Haziri.