Politikani proserb dhe prorus zgjidhet në krye të parlamentit në Malin e Zi

Parlamenti malazez ka zgjedhur Andrija Mandiç si kryetar të Parlamentit të Malit të Zi, një politikan i njohur për orientimin pro-serb dhe pro-rus. Kjo zgjedhje është kundërshtuar hapur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilat e konsiderojnë atë si një kundërshtar të orientimit pro-perëndimor të Malit të Zi

Parlamenti malazez zgjodhi të hënën në postin e kryetarit, Andrija Mandiç, një ish-drejtues i koalicionit politik proserb dhe prorus në Mal të Zi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kundërshtuan hapur zgjedhjen e politikanit Mandiç në krye të Parlamentit të Malit të Zi, duke e cilësuar atë si kundërshtar të orientimit properëndimor të vendit.

Qytetarë të shumtë dolën në rrugët e Podgoricës në një protestë të organizuar nga Forumi i Qytetarëve të Lirë.

Zgjedhja e zotit Mandiç në krye të kuvendit malazez u mundësua nga votat e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – partia e tij Europa Tani që dikur njihej si Fronti Demokratik, deputetët demokratë, Partia Popullore Socialiste dhe dy koalicionet shqiptare, Alternativa Shqiptare dhe Forumi Shqiptar.

Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç, që tani janë në opozitë, braktisën votimin.

Zoti Mandiç u propozua në këtë post në bazë të një marrëveshjeje politike që i mundëson qeverisjen e zotit Milojko Spajiç, i cili ka marrë mandatin. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, ish-Fronti Demokratik, që mbledh partitë proserbe dhe proruse në Mal të Zi, mori postin e kryetarit të parlamentit dhe bëhet pjesë e Qeverisë vitin e ardhshëm.

Në këmbim, deputetët e kësaj partie do të mbështesin Qeverinë e pakicës së zotit Spajiqit. Në seancën parlamentare të së hënës pritet të formohet edhe qeveria e 44 e Malit të Zi.

Në programin e tij, zoti Milojko Spajiç i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euroatlantik.

“Qeveria do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, duke respektuar në radhë të parë interesat e saj kombëtare, por edhe duke njohur lidhjet e shumta ekonomike, historike dhe kulturore me vendet e rajonit. Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë, zbatimi i qëllimeve dhe koncepteve të NATO-s dhe pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, trajnimet dhe aktivitetet e tjera të aleancës, do të jenë në krye të prioriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes”, tha zoti Spajiç.

Qeveria e zotit Milojko Spajiq është e treta që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur pas tre dekadash u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve.

Mali i Zi konsiderohej si një vend që udhëhiqte në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në rajon dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim. Megjithatë, si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit./ VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika