Dokumentari “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post, sjell të përmbledhura deklaratat e zyrtarëve serbë – të cilët kanë rrëfyer për një punë të madhe të kryer nga shteti i tyre.
Në këtë dokumentar janë sjellë të përmbledhura shumë deklarata të zyrarëve serbë në lidhje me Gjykatën Speciale.
Njëri nga ta është Milovan Drecun, Kryetar i Komitetit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, i cili në një intervistë për një medium serb thotë se gati se të gjitha materialet që shteti i Serbisë i ka dhënë Gjykatës Speciale, gjenden në aktakuzë.
“Nuk mund ta di tani se sa janë përfshirë në aktakuzë ato që ne ia kemi dhënë Prokurorisë së Specializuar. Por, sipas ngjarjeve, sipas lokacioneve, në bazë të asaj që po e shoh se është prioritet në aktakuza – që janë burgjet ilegale, arrestimet, keqtrajtimet – po e shoh se ka shumë nga ato që ne i kemi dhënë. Mirëpo, nuk do të thotë se kjo çështje është e përfunduar. Unë kam listën e asaj që ne ua kemi dhënë atyre. Dhe shoh se pothuajse të gjitha nga ato – janë në aktakuzë. E kam fjalën për ngjarjet dhe lokacionet që janë marrë”, ka deklaruar Drecun në nëntor të vitit 2020, pak ditë pas arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton Albanian Post.