Patriarku serb Porfirije, pas refuzimit të kërkesës së tij, ka thënë se herët apo vonë dyert e Patrikanës së Pejës do të hapen.
Siç raportoi të martën agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, ai ka shtuar se liturgjia është paraparë të shërbehej të martën në Patrikanën e Pejës.
“Autoritetet e Prishtinës nuk më lejuan mua dhe kryepeshkopët të mblidhemi në Patrikanën e Pejës. Herët apo vonë dyert e atij manastiri do të hapen për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë”, ka thënë ai.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka refuzuar kërkesën e e Patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patriarkanën e Pejës.
“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese, ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë,” shkruhet në njoftimin e MPJD-së.
MPJD thotë se Serbia po inkurajohet që të zbatojë marrëveshjen bazike dhe të veprojë me reciprocitet në raport me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella.
“Ashtu siç dihet, Serbia ka krijuar grup ministror për ta shkelur marrëveshjen bazike dhe për të penguar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përderisa vazhdon me këtë çasje dhe luftë, me çdo mjet kundër Kosovës nuk do të këtë aprovim të vizitave të tilla.”