Në Serbi është duke u zhvilluar një debat në media e rrjete sociale se kush do të jetë në krye të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Serbisë (BIA), pas dorëheqjes së Aleksandër Vulinit, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vulini akuzoi SHBA-në dhe BE-në se “kërkojnë kokën e tij” si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë.
Marko Gjuriq, ambasadori serb në ShBA, është opsioni i parë për zëvendësimin e Vulinit.
Opsioni i dytë është, Bruno Gjuran, i cili punon në sektorin e logjistikës në BIA dhe njeri i besuar i Bratislav Gashiqit, ministrit të Punëve të Brendshme.
Dhe opsioni i tretë që u raportua në media serbe ishte edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar.
E nga këta tre, dukshëm favoritët janë, Gjuriq dhe Gjuran.
Ndërsa, dihet më shumë në publik për Gjuriqin dhe Lonçarin. Sa i përket Gjuranit, ai është përmendur si kandidat për drejtor të BIA-s edhe vitin e kaluar, kur u paralajmërua largimi i Bratisllav Gashiqit nga ajo pozitë (i cili u zëvendësua nga Vulini). Ai është përmendur disa herë si kandidat për postin e kreut, por karrigia e drejtorit gjithmonë i ka shpëtuar.
Gjuran, para disa vitesh, u përmend kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq. Në vitin 2019, në një paraqitje të ftuar në televizionin N1, Jeremiq deklaroi se Angjelko Vuçiq, babai i presidentit të Serbisë, e emëroi Gjuranin në pozitën e shefit të kabinetit të ish-ministrit të Financave Dushan Vujovic.
Më pas ai theksoi se Gjurani ishte edhe shef i kabinetit të kryetarit të Beogradit, Zoran Radojiçiq, dhe më vonë u emërua në BIA.
Ajo që dihet për biografinë e Gjuranit është se ai nga viti 1989 deri në vitin 1998 ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes në çështjet e sigurisë, pas së cilës ka ndërruar disa vende pune.
Në rrethet e sigurisë, Gjuran njihet si një njeri me përvojë dhe ekspert, të paktën kur bëhet fjalë për Agjencinë e Sigurisë dhe të Informacionit. Dikur ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa pas kalimit në BIA, është në sektorin e logjistikës.
“Vuçiq në krye të BIA”-s dhe “një BIA brenda BIA-s”
Një bashkëbisedues i “Danas”-it, i cili është pranë strukturave në pushtet, ka theksuar se drejtor i ri nuk do të emërohet deri pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit që do të mbahen në Serbi.
“Varësisht se si do të përzihen kartat pas zgjedhjeve”, thekson ai se do të bëhet emërimi në krye të BIA-s.
I pyetur nga “Danas”-i se kë sheh në krye të BIA-s, avokati Bozho Preleviq thotë – vetëm Vuçiqin.
“E shoh në krye të të gjitha institucioneve të tjera, kryeredaktorë në media, agjenci shtetërore, spitale dhe shkolla. E shoh, për fat të keq, edhe në rrethin e njerëzve me të cilët nuk do të kisha punë, sepse në atë rast do të akuzohesha për bashkëpunim me krimin më të keq të organizuar”, ka thënë Preleviq.
E ish-drejtori i Agjencisë për Siguri Ushtarake, Momir Stojanoviq, ka informacione të ngjashme se kush mund të jetë në krye të BIA-s.
“Jam shumë i sigurt se drejtori i ri i BIA-s nuk do të jetë një figurë jashtë partisë (SNS, partisë së Vuçiqit). Në shoqëritë e rregullta demokratike, figurat jopartiake janë përgjithësisht në krye të institucioneve në sektorin e sigurisë. Në vende si i yni, me një nivel shumë të ulët të demokracisë, është gjithmonë një luftë se kush do të drejtojë institucionet në sektorin e sigurisë. Te Ministria e Mbrojtjes dhe e policisë dhe te shefi i shërbimeve të sigurisë.
Sipas traditës, aty caktohen njerëz që janë zyrtarë partiakë, pasardhës, njerëz që duhet të sigurojnë kontrollin e partisë mbi ato institucione dhe jo profesionalizmin dhe efikasitetin e tyre. Kështu që unë pres që dikush i ngjashëm të vijë pas Aleksander Vulinit. Spekulohet se do të jetë Marko Gjuriq apo Bruno Gjuran, një njeri që dikur ka qenë operativ i shërbimit të sigurimit ushtarak dhe që ka qenë operativ personal i Aleksandër Vuçiqit në BIA për shumë vite”, thotë Stojanoviq për “Nova.rs”, duke shtuar se Vuçiq ka një BIA në BIA, pra shërbim sekret në shërbim sekret.