Armend Muja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka deklaruar se deputetët e pozitës në Kuvendin e Kosovës kanë qenë gjithmonë prezent në seancat e kaluara të Kuvendit.
Pozita u akuzua nga opozita për mbyllje të qëllimshme të sesionit, ashtu që t’i ikte debateve mbi publikimet e fundit mediale për pjesëtarë të saj, gjë e cila u mohua nga Muja.
Gjersa u pyet për mungesën e shumicës në seancën e fundit të sesionit pranveror të Kuvendit, Muja deklaroi se deputetët kanë punuar intensivisht. Megjithatë, kritika pati për opozitën. Ai vlerëson se ishte qasja konsistente e tyre që çdo ligj, pa u përfunduar procedurat, të thonin se do ta dërgonin në Gjykatën Kushtuese.
“Ne asnjëherë nuk i ikim debatit, çdo debat në shoqëri ka relevancë, mirëpo ekziston një formë se të thirret një debat në Kuvend…Atë ditë kur po pretendohej se po flitej me Simiqin, mjerisht, edhe qeveria edhe LVV kanë qenë subjekt i dhunës, e i grushtimit. Diçka që nuk ka ndodhur në historinë parlamentare. Sa i përket sot, ishte planifikuar që edhe sot të vazhdojë seanca për marrëveshjet ndërkombëtare sepse kanë qenë në agjendë që nga prilli. Dhe pa votat e opozitës, duhet ta kuptoni, ato nuk kalojnë. Ideja është që seanca duhet ta ketë kuorumin e nevojshëm për të filluar, numri nuk ishte i mjaftueshëm për të vazhduar. Deputetët e shumicës që ta keni parasysh, secili deputet i shumicës, që nga marsi e posaçërisht në pjesën e dytë të shkurtit, është punuar intensivisht. Jo gjithçka del në publik, por përpos seancave, nganjëherë ka ndodhur që janë mbajtur nga dy seanca, të mërkurën e të enjten, që është e pazakonshme sepse normalisht është mbajtur vetëm një… për t’u plotësuar agjenda në seancë duhet punuar në komisone nga e hëna tek e premtja. Çdo deputet i pozitës, edhe mbrëmë vonë, kanë qëndruar. Diçka që nuk e keni parë tek opozita. Qasja e opozitës ka qenë, çdo ligj, edhe pa përfunduar procesi legjislativ edhe pa përfunduar procesi konsultativ, deklarata e tyre do ta çojmë në Kushtetuese. Pra, është qasja ka qenë që çdo ligj prapa jush do i dërgojnë në Kushtuese, sikurse ne skemi asnjë mandate”, ka deklaruar ai.
Ai thotë se partitë opozitare kishin mundësinë të votonin marrëveshjet ndërkombëtare, por që nuk e bënë.
“Për ta kaluar një marrëveshje ndërkombëtare kërkohen rreth 80 vota dhe këto ligje kanë qenë që nga prilli duke pritur votën e Opozitës. Ato, LDK dhe PDK në seancën, jo të fundit, paraprake kanë pasur rastin t’i mbështesin këto marrëveshje, por nuk e bënë”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, ai thotë se sesioni pranveror i Kuvendit mund të cilësohet si ndër më të suksesshmit në sferën ekonomike e sociale. Njëherit, thekson se Kuvendi ka miratuar ligje sa dyfishi i legjislaturave të kaluara.
Sa për dhunën e treguar në Kuvend, Muja veçon një deputete.
“Mjerisht, ky sesion është përshkuar edhe me incidente të dhunshme nga deputet të PDK-së, në veçanti deputetet Ganimete Musliu, e cila jo që nuk ka kauzë politike, por ka pasur sjellje të dhunshme gjatë gjithë këtij sesioni, duke provokuar me incidente, të cilat janë hije e rëndë për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Në seancën e 13 korrikut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Ndryshe, në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka zhvilluar seancën plenare të paraparë për të premten.
Seanca e sotme ishte e fundit për sesionin pranveror. Ndërkaq, deputetët do t’i kthehen punës në shtator.