Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar themelimin e një komisioni për ta hetuar situatën me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se formimi i një komisioni të tillë, është mëse i nevojshëm për t’i qartësuar gjërat.
“Konsiderojmë që kjo periudhë është shoqëruar me disa parregullsi, duke filluar nga rritja e çmimit të cilin veçse e kemi dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pastaj edhe cështja e procedurës së blerjes së energjisë elektrike dhe shumë çështje që besoj do t’i ngrisë ky komision hetimor”, ka deklaruar Tahiri.
Atij iu kundërpërgjigj, shefja e grupit më të madh parlamentar, Mimoza Kusari Lila, e cila tha se duhet t’i mbetet komisionit t’i hetojë pretendimet e ngritura nga opozita, duke shtuar se sipas saj, Qeveria ka qenë transparente në lidhje me këtë çështje.
Ndërsa, Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se themelimi i një komisioni siç ka kërkuar opozita, sipas tij, vetëm se do t’ia merrte kohën Qeverisë në përmbushjen e programit.
Mosvotimi i këtij komisioni, bëri që opozita ta lëshojë sallën në shenj revolte. Pas kësaj, Arben Gashi nga LDK, tha se kundërshtimi i pozitës për mosformimin e komisionit, hedh dyshime në vetvete.
Dyshime ka hedhur edhe Besnik Tahiri i AAK-së, sipas tij, të gjitha dyshimet e hedhura duhet të sqarohen.