Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami, është “përplasur” me përfaqësuesit e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje [VV], gjatë raportimit të AShNA-së në komision.
Përplasja ka ardhur pasi Bajrami tha se drejtoresha e auditimit të këtij institucioni është larguar si shkak i drejtorit, Samir Bllacaku, e që sipas saj, drejtori i navigacionit ajror po ashtu ka marrë mëditje për doktoraturën e kryer në Zvicër.
Bajrami, sa i përket opinionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, tha se opinioni është i kualifikuar.
“Opinioni i ZKA-së është i kualifikuar, baza për opinion të kualifikuar është që thesari në bazë të vendimeve gjyqësore ka ekzekutuar pagesa në vlerë totale prej 817 mijë e 603 eurove prej kategorive joadekuate të shpenzimeve. Edhe gjithashtu çështje e cila ka ndikuar në opinionin e kualifikuar është edhe nënvlerësimi i pasurisë për 345 mijë euro si rezultat i mosregjistrimit në sistemin informativ të menaxhimit për financat e Kosovës, të pasurisë jokapitale”, ka thënë ajo.
Drejtori i navigacionit, Samir Bllacaku, tha se nga katër gjetjet e këtij auditmit, si institucion nuk e kanë pranuar gjetjen e katërt të ZKA-së, kjo pasi sipas tij, kjo gjetje është bërë që të pasqyrohet që drejtoresha e njësisë së auditimit është larguar nga puna.
“Kjo është bërë kryekëput vetëm që të pasqyrohet që drejtoresha e njësisë së auditimit është larguar nga puna. Ju mund ta shihni edhe në komentet që janë kthyer që vetëm është si informatë. ZKA nuk ish dashur të bie në atë nivel që të plasojë informata se ky është raport zyrtar edhe ne besojmë që kjo nuk ka të bëjë asgjë me rastin, as largimi i saj nuk është bërë për këtë çështje. Është larguar nga komisioni disiplinor… janë vendimet e komisionit disiplinor”, ka thënë ai, raporton EO.
E ndaj këtij dekarimi ka reaguar deputeti i VV-së, Visar Korenica, i cili kërkoi që drejtori Bllacaku të ketë kujdes me gjykimet ndaj gjetjeve të ZKA-së.
“Kur plasoni akuza ndaj ZKA-së, duhet së paku të jeni në nivel të tyre ose të keni argumente të plota të mbështetura për të refuzuar një të gjetur të ZKA-së. Duhet të keni kujdes kur e marrim ta gjykojmë një rast për të cilin, ne, ju apo kushdo tjetër nuk jemi në të njëjtin nivel për të klasifikuar një të gjetur të caktuar si rast në raportin me të cilin sot ne po ballafaqohemi”, ka thënë ai.
Deputetja Bajrami tha se Bllacaku ka qëndruar për 59 ditë në Zvicër për doktoraturën dhe për këtë ka marrë mëditje, sipas saj, drejtoresha e auditimit të brendshëm është larguar, sepse nuk është lënë që të auditojë sistemin e trajtimit.
“Zotëria që e kemi përballë ka kryer doktoraturë në kuadër të atij sistemi, të cilin ka bërë 59 ditë jashtë shtetit në Sangall të Zvicrës, ka marrë doktoraturë. Ky për ditët sa ka qëndruar atje ka marrë mëditje dhe ju kanë paguar shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e qëndrimit. Janë 12 module që zotëria i ka kryer. A po e kuptoni pse edhe ky atë doktoraturë ja ka aprovuar vetës, ekzistojë dokumente sepse drejtoresha e larguar e auditimit ka dalë tash edhe po fol nëpër media edhe i ka dokumentacionet”, ka thënë ajo.
Këto informata nuk i pranoj drejtori Bllacaku, i cili tha se këto deklarata nuk janë të vërteta.
“Doktoratura që e kam kryer unë e ka pasur vlerën 22 mijë dollarë. A e dini sa ka paguar AShNA për mua, zero. Sa i përket qëndrimit tim 59 ditë në Zvicër, nuk është absolutisht e vërtetë sepse nëse i shikoni modulet kanë qenë module hibride. Unë jam ai person që modulet i kam kaluar ka zyra, e kam kryer modulin në Prishtinë. A po më len tash me fol”, është kundërpërgjigjur ai.
E ndaj këtyre replikave kanë reaguar edhe anëtaret e tjerë të këtij Komisioni. Deputeti i VV-së, Halil Thaçi tha se gjithë diskutimi i deputetes Bajrami është personale me drejtorin. Edhe deputetja e VV-së Mirlinda Tishukaj Sadiku, i’a përmendi deklaratën e deputetes Bajrami se pozita janë “hajna”.
Deputeti i PDK-së Rashit Qalaj, pyeti për një incident që ka ndodhur në muajn qershor në Aeroport.
“Si është bashkëpunimi juaj me Aeroportin për incidentin, që ka ndodhur me 20 qershor. Një aeroplan është ringritur për mos t’u dëmtuar punëtorët që ndodhej në pistë”, ka pyetur Qalaj.
Bllacaku ka thënë se ai nuk ka qenë aksident i rëndë, por që është trajtuar me seriozitet.
“Nuk ka qenë incident i rëndë ne e trajtojmë seriozisht, jemi striktë në navigacion për atë e trajtojmë si incident. Sqarimi shëndetësor sipas rregullores na takojë, sigurimet prej tarifës, është e vërtet që e kemi bërë për shkak të mirënjohjes së familjarëve të tyre”, ka thënë Bllacaku.