Opozita është shprehur e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Madje Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se muajt tetor apo nëntor do të ishin koha e duhur që Kosova të shkojë në zgjedhje.
Në një lidhje direkte në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini, partitë politike pak para takimit që do mbajnë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta kanë dhënë qëndrimet e tyre rreth kësaj çështjeje.
Besa Gaxheri nga radhët e LDK-së ka thënë se Kosova ka shumë nevojë të shkojë në zgjedhje por që sipas saj nevojitet konsensus nga gjitha partitë për caktimin e datës.
“Unë po them shpresoj që sot të gjitha partitë politike të jenë të pajtimit që të shkojmë në zgjedhje në tetor-nëntor. Edhe vetë partia pushtet është e vetëdijshme që nuk është gjithçka në rregull. Sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk mund të themi që ky është qëndrimi jonë dhe nuk ndryshon. Na konvenon me qenë tetor ose nëntor me pasë zgjedhje, kështu jemi përgatit, tashmë nuk është asnjë subjekt politik aty që vendos për datën, por duhet të ketë konsesus nga të gjithë partitë politike”, ka deklaruar Gaxheri.
Gaxheri ka theksuar se partia e saj tashmë ka filluar përgatitjet e veta në terren.
“Zgjedhjet e parakohshme ishin të nevojshme shumë më herët, ne si opozitë skemi mujt me i shkaktu për shkak të votave, nevoja ka qenë imediate cdo vit për shkak të raporteve të krijuara me aleatët, Kosova u mbyll hermetikisht, Kurti nuk pritet në takime bilaterale, Kosova ka pasur nevojë të shkojë më herët në zgjedhje, nuk e patëm atë mundësi. LDK-ja sic e dini të gjithë që nga rezultati i fundit në zgjedhje nacionale është marrë shumë seriozisht me vetveten, kemi bërë përgatitje të gjithëmbarshme, i vetmi subjekt politik që kemi hyrë në garë politike për lider, kemi program të detajuar, kemi mbajtur zgjedhje për secilën degë, në forumin e gruas, rinisë, në diasporë, kemi bërë përgatitje si asnjëherë më parë”, ka vijuar Gaxheri.
Nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj po ashtu ka pohuar se edhe partia e saj ka pasur vullnetin që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sa më herët që është e mundur.
“PDK e ka konfirmuar shumë më herët që ka qenë e vullnetshme të shkohet në zgjedhje sa më herët që është e mundshme që të përmbyllet saga e dështimeve të kësaj qeverie. E konsiderojmë të rëndësishme që sa më herët të shkojmë në zgjedhje, aq më mirë”, ka deklaruar Ahmetaj.
Ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që partitë politike të dakordohen.
Time Kadrijaj nga kjo parti ka thënë se nëse qeveria Kurti jep dorëheqje, atëherë opozita është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.
“Kurdo që mbahen unë si deputete jam e gatshme, ky është qëndrimi im. Kam qenë aktive, kurdo që të dakordohen partitë politike jemi të gatshëm. Nëse Kurti jep dorëheqje, ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Ka arsye për dorëheqje, pasi është qeveria me performancën më të dobët, me afera korruptive, i ka dhënë imazh të keq Kosovës në arenën ndërkombëtare, ka kapje të institucioneve. Ne sot do të diskutojnë për caktim të datës, meqenëse sot është dita e takimit besoj se do caktohet data e zgjedhjeve”, ka deklaruar Kadrijaj.
Këtyre kritikave të opozitës u është përgjigjur deputetja nga radhët e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Ndonëse sipas saj nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, VV-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje nëse ka iniciativë të opozitës për shpërndarje të Kuvendit.
“Ne mendoj se tashmë e kemi një datë që përcakton vetë ligji. Nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë paraprakisht në zgjedhje, ne kemi qenë të gatshëm të shkojmë në zgjedhje nëse opozita ishte e gatshme, nuk e kanë marrë inciativën për shpërndarje të kuvendit, mendoj se nuk ka qenë kërkesë serioze”, ka deklaruar Kryeziu.
Sipas Kryeziut, kurdo që mbahen zgjedhje të reja, VV-ja dukshëm do jetë fituese dhe prapë mandatore për të shtyrë përpara projektet për qytetarët.
“Është qeveria e vetme që ka punuar jashtëzakonisht mirë përgjatë 4 viteve qeverisje. Unë mendoj që nuk do ti kishim marrë mbi 50% të votave të qytetarëve nëse flitet për një qeveri që nuk i përmbushë prioritetet e qytetarëve, qytetarët nuk mendojnë njëjtë si opozita. Sondazhet po e nxjerrin VV-në prapë dukshëm më lartë se partitë tjera opozitare. Kurdo që mbahen zgjedhje të reja, VV-ja dukshëm do jetë fituese dhe prapë mandatore për të shtyrë përpara projektet për qytetarët”, ka theksuar ajo.
Ajo thotë se 26 janar deri më 16 shkurt është edhe afati kushtetues kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta dhe sipas saj kjo do ishte koha ideale për mbajtjen e tyre pasi kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme siç thotë ajo nuk është serioze.
“Për mua personalisht fare nuk ka rëndësi kur shkojmë në zgjedhje, për mua janar-shkurt”, ka vijuar Kryeziu.
Ndryshe, sot duke filluar nga ora 14:00, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet me kryetarët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në Kosovë.
“Në orën 14:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbajë takim konsultativ me kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftim.
Osmani pas takimit pritet të mbaj konferencë për media në hollin e Kabinetit të Presidencës.
Partitë politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Osmanit për t`u takuar.