Prania e psikologëve në shkolla, e domosdoshme

Prania e një psikologu në shkollë ndikon që brenda këtij institucioni të promovohet një mjedis mësimi i sigurt dhe gjithëpërfshirës. Psikologet shkollore kanë vlerësuar se prania e tyre në shkollë ka një rëndësi të veçantë dhe në rrethanat në të cilat jetojmë sot kjo gjë është e domosdoshme

Ilustrim

Prezenca e një psikologu adekuat në shkollë ndihmon në krijimin e shkollave të sigurta dhe ambienteve pozitive të cilat ndihmojnë në të mësuarit dhe sjelljen e nxënësve.

Psikologu shkollor fokusohet në promovimin dhe zhvillimin mendor e fizik të nxënësve si dhe në ndihmesën dhe mbështetjen që jep për rritjen e cilësisë së procesit të mësimnxënies dhe mësimdhënies dhe jo vetëm.

Kosovare Muqaj-Maraj, psikologe në gjimnazin “Haxhi Zeka”, Istog

Nxënësit gjatë periudhës së shkollimit kalojnë në faza të ndryshme, duke filluar nga ndryshimet fiziologjike e mendore, andaj, prezenca e një psikologu shkollor ndikon pozitivisht në jetën e tyre dhe u ndihmon t’i kalojnë më lehtë situatat me të cilat përballen.

Ndërkaq, psikologia e Gjimnazit “Haxhi Zeka” në Komunën e Istogut, Kosovare Muqaj- Maraj në një intervistë për Portalin Dukagjini ka vlerësuar se “prania e psikologut në shkolla jo vetëm që është e rëndësishme, por tashmë është e domosdoshme”.

Ngjarjet që janë duke ndodhur nëpër shkolla sipas saj kanë bërë që prezenca e psikologut të jetë e domosdoshme.

Mavraj ka theksuar faktin se psikologu në shkollë ndihmon në shumë aspekte, duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe komunitetin.

“Psikologu në shkollë ndihmon në lehtësimin e procesit të mësimnxënies, kontribuon në zhvillimin emocional, social dhe personal të nxënësve, ndihmon në tejkalimin e vështirësive të natyrës psikologjike, ndihmon në identifikimin e nxënësve me vështirësi në të nxënë dhe nxënësve të talentuar, identifikon dhe vlerëson nevojat e nxënësve”, ka shtuar psikologia.

Nxënësit kalojnë në faza të ndryshme gjatë zhvillimit të tyre dhe secila është e rëndësishme, por një nga etapat që konsiderohet më e ndjeshme është adoleshenca, sepse ndikohet nga zhvillimet e shpejta në aspektin kognitiv, ku të rinjtë vetëm sa fillojnë të kuptojnë koncepte e pyetje madhore për jetën e tyre.

Pyetjet më të shpeshta që i parashtrojnë vetes dhe nga të cilat kërkojnë përgjigje sipas psikologes Mavraj janë, “çka është jeta, kush jam unë në të vërtet, çfarë duhet të bëhem unë, cilat janë të drejtat e mia, ose unë kam të drejtë të vendos vetë”.

“Roli im si psikologe në këtë rast është që përmes ligjëratave këshilluese me tema të ndryshme të ndikoj te të gjithë nxënësit në radhë të parë, si informim që shkolla ka psikolog, se çfarë tema mundemi të trajtojmë me psikologen, të bëjmë dallimin në mes të psikologut dhe psikiatrit që të largojmë paragjykimet e pastaj të nxis nxënësit që të kërkojnë këshillim e trajtim kur ata kanë nevojë”, ka thënë Maraj.

Foto ilustrim

Faza drejt maturimit të tyre fizik, emocional, social e kognitiv bën që adoleshentët shumë shpesh të kalojnë situata stresuese e nganjëherë edhe depresive.

Një nga problemet më të shpeshta që shfaqen gjatë kësaj kohe padyshim që është stresi dhe sipas psikologes ky problem vjen nga mënyra se si trupi dhe mendja jonë reagon ndaj stimujve të jashtëm fizikë, mendorë dhe emocionalë si dhe zhvillohet nga eksperienca jo të mira, por edhe për shkak të ngjarjeve pozitive në jetë.

“Stresi tek adoleshentët shkaktohet nga faktorë të ndryshëm. Një prej tyre është padyshim shkolla, vlerësimi në lëndë të caktuara, matura shtetërore. Njëkohësisht, stresorë (shkak stresi) janë edhe problemet në familje që fillojnë nga marrëdhëniet jo të përshtatshme me prindërit, divorcet e këtyre të fundit, varfëria, marrëdhëniet jo të mira me vëllezërit dhe motrat. Faktor tjetër është edhe shoqëria, ndikimi i shoqërisë me problematikat që sjell. Seksualiteti, dashuria, dhuna, vjedhja, droga, alkooli, turpi e shumë faktorë të tjerë”, ka shtuar psikologia.

Por, duke u nisur nga fakti që puna me nxënës nuk është aq e lehtë dhe shkak i kësaj janë fazat e zhvillimit që kalojnë, Mavraj ka thënë që sfida më e madhe është procesi derisa nxënësi merr guximin të vijë te psikologu dhe të krijohet besim.

“Ne mund të themi ende që roli i psikologut në vendin tonë është një profesion i ri dhe mjaft i paragjykuar. Kjo ndikon që nxënësit të ngurojnë për të ardhur te psikologu, ka të tjerë që vijnë dhe nxisin edhe shokët e shoqet të kërkojnë ndihmë tek unë, por ka edhe të tjerë që presin të vijnë kur fillon ora mësimore që të mos i shoh askush dhe të dalin gjithashtu nga seanca në mënyrë të fshehur. Por kur marrin guximin të vijnë në një seancë, atëherë ata shprehën lirshëm dhe pa rezerva duke potencuar se asnjëherë më herët nuk kanë arritur të shprehën lirshëm diku tjetër, madje as në familjet e tyre. Kjo dukuri vërehet te shumica e nxënësve që vijnë për herë të parë”, është shprehur ajo.

Foto ilustrim

Por, si rrjedhojë e stresit që nxënësit kanë vazhdimisht dhe mosreflektimi ndaj kësaj situate, mund të bëjë që ky problem të rritet dhe të kalojë në një gjendje më të rëndë psikologjike e që është depresioni.

Ndërkaq, sipas psikologes Maraj, ky kalim nga stresi në depresion ka disa shenja të cilat janë tejet të dukshme dhe lehtë të kuptueshme që nxënësi nuk po kalon një periudhë të mirë psikologjike.

“Një mosmenaxhim i mirë i situatave stresuese mund të rezultojë shumë lehtë që personi të kalojë në gjendje depresioni dhe këtë e kuptojmë nëse një person në shumicën e kohës nuk ka humor të mirë, nuk është i motivuar për të bërë gjërat që dikur i bënte me dëshirë, i shfaqen probleme me gjumin, ndryshime në oreks, humbje ose shtim në peshë, probleme në koncentrim ose edhe në të menduarit kritik. Gjithashtu, mund të shfaqen mendime mbi vdekjen dhe vetëvrasjen, simptoma të cilat tregojnë që gjendja depresive është e rënduar dhe kërkon trajtim”.

“Fëmijët dhe adoleshentët mund të jenë të prekur nga depresioni, për këtë arsye prezenca e psikologut në shkolla e ndihmon tejkalimin e këtyre situatave. Megjithëse kjo nuk do të thotë se ata nuk do të përjetojnë edhe ndonjë herë tjetër depresion gjatë jetës së tyre. Në këtë ndikon se sa personi arrin të zhvillojë aftësitë e tij, të ngritë vetëbesimin dhe vetëvlerësimin”, ka potencuar psikologia e gjimnazit “Haxhi Zeka”.

Në fazën e adoleshencës stresi mbetet si një ndër problemet më të theksuara te nxënësit.

Në nivelin e shkollimit të mesëm të ulët sipas psikologes së ShFMU, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Albana Bytyqi, problematikat më të zakonshme që kanë nxënësit e grupmoshës me të cilën punon ajo, kanë të bëjnë me aspektin e sjelljes, bullizimit dhe vështirësitë në aspektin e të nxënit.

Albana Bytyqi, psikologe në shkollën “Pjetër Bogdani”, Prishtinë

E pyetur se sa shprehin gatishmërinë që të bashkëpunojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve, Bytyqi ka thënë që janë tejet të hapur dhe nuk ngurrojnë.

“Kur flasim për gatishmërinë e tyre për të ndryshuar me një punë sistematike dhe vetëdijesuese me ta, gatishmëria është shumë e madhe e, po ashtu, mjaft motivuese për të tejkaluar vështirësitë në të cilat ata kalojnë. Çdo ndryshim pozitiv që ndodh gjatë sesioneve për ta kthehet motiv, sepse ata mund të ndryshojnë me një ndihmesë edhe mund të menaxhojnë në jetën e tyre në mënyrë sa më të arsyeshme”, ka theksuar Bytyqi.

Për dallim nga puna e psikologut në nivel më të lartë të shkollimit, në ciklin më të ulët një problematikë më e theksuar është edhe puna me nxënësit me nevoja të veçanta, ndërkaq përveç kësaj Bytyqi ka thënë që detyra e saj është pjesëmarrja në çdo proces i cili lidhet me shkollën dhe nxënësit.

“Psikologu i shkollës merr pjesë në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me planifikimin dhe realizimin e punës së gjithëmbarshme në shkollë si në planifikimin e programit të punës mësimore, hulumtim, monitorim, analizë e vlerësim të të gjithë akteve në shkollë, realizim efektiv të procesit edukativ-arsimor, punë e drejtpërdrejtë me nxënës, mësimdhënës, prindër, komunitet, institucione e organizata qeveritare dhe joqeveritare, zhvillimin profesional të stafit të shkollës, zhvillim profesional, personal, në zhvillim të projekteve e të tjera”.

“Punon punë direkte me fëmijë me nevoja të veçanta, po ashtu merret me referimin e rasteve tek ekipi për vlerësim për fëmijët me nevoja të veçanta, merr pjesë në përpilimin e PIA-s. Bën hulumtim, analiza për problemet që janë prezente gjatë vitit shkollor. Bën testimin, vlerësimin dhe regjistrimin e nxënësve të parashkollorëve dhe klasave të para”, ka shtuar më tej.

Foto ilustrim

Por vetë prezenca e një psikologu i cili është aty për të këshilluar dhe ndihmuar ndikon në mënyrë direkte te nxënësit dhe bëhet shkak që ata të reflektojnë në raport me problemet që i shqetësojnë.

“Kur flasim për ndikimin që psikologu ka te nxënësit, ky ndikim më shumë ka të bëjë me vetëdijësimin që ka të bëjë në përgjithësi në të gjitha proceset e zhvillimit të tyre, sfidat në aspektin emocional, sjelljet modifikuese, çrregullimet e ndryshme  emocionale dhe psikologjike”, është shprehur Bytyqi.

Sipas saj, nxënësit çdo ditë e më shumë e dinë rëndësinë që ka psikologu shkollor në zhvillimin e tyre dhe sa mund të jetë çelës për zgjedhjen e problemeve që i shqetësojnë.

“Nxënësit çdo vit janë më të vetëdijshëm për rolin e psikologut në jetën e tyre, duke iu referuar për të gjitha vështirësitë e po ashtu çdo ditë e më shumë po e vlerësojnë këtë rol si domosdoshmëri për t’u konsultuar në periudha të vështira në jetën e tyre”, ka potencuar psikologia e shkollës “Pjetër Pogdani” për Portalin Dukagjini.

Ndonjëherë problemet psikologjike te fëmijët në përgjithësi vijnë si shkak i shumë faktorëve dhe jo vetëm nga ngjarjet që përjetojnë brenda objektit të shkollës ku vijojnë mësimet.

Andaj prezenca e një psikologu në shkollë dhe roli i tij mund të jetë i jo i mjaftueshëm ndonjëherë dhe nxënësit duhet të drejtohen apo t’u rekomandohen seanca psikologjike te ndonjë ekspert i fushës varësisht nga problemi që ka fëmija.

“Kur flasim për rolin e psikologut shkollor, përkundër përkrahjes dhe punës sa më sistematike që mund të bëjë më nxënës, jo gjithherë mund të jetë e mjaftueshme, sepse shpesh ka raste të cilat kanë nevoje për një trajtim me të thellë e kryesisht lidhet me çrregullimet e ndryshme që mund të kenë apo problematikat me të thella për të cilat duhet tretman i veçantë dhe këto raste shpesh edhe referohen për terapi më të gjata dhe te ekspertët e fushës, varësisht nga tipi i vështirësisë dhe çrregullimve të cilat mund të kenë”, ka theksuar Bytyqi.

Ilustrim

Ndërsa prindërit janë shprehur të kënaqur me faktin që shkollat në Kosovë kanë psikologë, sepse kjo bën që fëmijët e tyre të kalojnë më lehtë situatat dhe problemet që i shqetësojnë.

Amir Sinani, prind, ka thënë se fëmija i tij ka përfituar nga psikologu shkollor, duke shtuar se do të lejonte që të mbante seanca psikologjike.

“Unë personalisht jam shumë i kënaqur me faktin që tashmë shkollat e Kosovës në përgjithësi kanë një psikolog shkollor, i cili merret me problemet të cilat i shqetësojnë nxënësit”.

“Padyshim që bisedat me psikolog kanë ndikim pozitiv dhe fëmijës tim i ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë në kalimin e situatave të caktuara dhe mendoj që është e domosdoshme që çdo fëmijë të paktën një herë në muaj të bisedojë me psikolog”, ka thënë Sinani.

Të njëjtin mendim e ka edhe Venera Rexha-Pajaziti, prind, e cila ka thënë që psikologët shkollorë ndikojnë pozitivisht te gjendja mendore dhe emocionale e nxënësve duke u ndihmuar të kalojnë problemet përmes bisedave.

“Fëmijët e mi deri më sot nuk kanë pasur ndonjë problem psikologjik të theksuar, por padyshim që vetë prania e psikologut në shkollë i ka bërë të ndihen më të sigurt”.

“Fëmijët gjatë niveleve të shkollimit natyrisht që kalojnë disa faza dhe gjendja e tyre emocionale dhe mendore ndonjëherë është jostabile, por me prezencën e psikologut në shkollë kjo gjë është më e lehtë të tejkalohet, për shkak që ndihen edhe më të lirshëm të flasin për problemin që i shqetëson”, ka theksuar Rexha-Pajaziti.

Ndërkaq, sipas psikologeve prania e tyre në shkollë çdo vit e më shumë po vërehet dhe pranohet pozitivisht nga nxënësit si një nevojë e domosdoshme për rrethanat në të cilat jetojnë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika