Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është pranuar një viktimë tjetër që të marrë pjesë në proces gjyqësor, ku deri me tash numri total i viktimave në këtë çështje ka arritur 141.
Kjo është bërë e ditur përmes faqes zyrtare të DhSK-së, në të cilin thuhet se trupi gjykues ka nxjerrë vendimin e shtatë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
‘‘Një parashtrues i kërkesës u pranua si viktimë pjesëmarrëse në proces gjyqësor dhe do t’i shtohet grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 140 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohet nga i njëjti mbrojtës i viktimave’’, thuhet tutje një njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se në vendimin e tij, trupi gjykues ka theksuar se afati për paraqitjen e kërkesave për pranimin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje ka skaduar më 15 shkurt 2023, por, meqenëse sipas tyre ekziston një arsye e vlefshme për të marrë parasysh informacione shtesë, ka vendosur të rivlerësojë këtë kërkesë të ridorëzuar nga një parashtrues i refuzuar më herët.
‘‘Bashkë me të, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 141’’, thuhet në njoftim.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi, derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.
Më 4 prill, mbrojtja e Thaçit, e Veselit dhe e Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse, derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill, ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill, ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë, i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq më 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të, i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi