Albert Prenkaj, i cili u pezullua nga pozita e Drejtorit të Departamentit për Amerikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka thënë se një vendim i tillë është i paligjshëm.
Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Prenkaj ka thënë se ai e ka fituar rastin ndaj Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës në shkallën e parë.
Prenkaj, po ashtu, ka thënë se vendimi për pezullimin e tij nga puna është antikushtetues.
“Dje e kam marrë vendimin e Gjykatës përmes përfaqësuesit. Aktgjykimi është që anulohet Vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës[KPM]. Kërkohet nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës që të nxjerrë vendim ligjërisht dhe meritor. Me këtë Aktgjykim bie Rregullorja e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nënkupton që mbizotëron Ligji mbi Shërbimin e Jashtëm [mbi rregulloren], që nënkupton që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk është mbi Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, pra, që nënkupton se vendimet të cilat janë marrë përfshi në këtë rregullore, janë jokushtetuese”, ka thënë Prenkaj.
Prenkaj ka akuzuar zëvendëssekretarin e përgjithshëm të MPJD-së, Behar Ismën, për të cilin ka thënë se i takon një grupit të ministres Donika Gërvalla.
Sipas Prenkajt, ky grup është kriminal për shkak se vazhdimisht e shkel ligjin duke marrë vendime arbitrare e politike.
“Kjo është thyerje e neneve kushtetuese, është mohu e drejta në punë, e drejta në shprehje të lirë, e drejta në tubim, të gjitha janë të parapara me Kushtetutë, të cilat mu kanë cenua me një Vendim të nënshkruar nga një person i cili është i padijshëm, po flas për të ashtuquajturin ‘Zëvendëssekretar të Përgjithshëm, Behar Ismën’, i cili i takon klikës, Gërvalla-Shwartz, një grup kriminel të cilët janë duke e thyer ligjin në baza të rregullta ditore, duke marrë vendime arbitrare, politike. Ne jemi politikisht të papërshtatshëm me këtë grup, me këtë klikë, e cila është duke udhëheqë MPJD-në”, ka thënë ai.
Prenkaj ka thënë se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, e ka për detyrë ta dërgojë në MPJD Vendimin e Gjykatës Themelore, ku thuhet se ankesa e Prenkajt është e bazuar.
“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, në bazë të Aktgjykimit ka për detyrë që me ia çu Ministrisë Vendimin i cili e urdhëron Ministrinë që ta amandamentojë Rregulloren 1/2022, që nënkupton kthimin e pozitës të drejtorit të përgjithshëm, deri në shuarjen e kësaj pozite në mënyrë të paligjshme. E paligjshme sepse Rregullorja është në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm”, ka thënë ai.
Drejtori i Departamentit për Amerikë, Albert Prenkaj, është pezulluar nga puna me vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Ai është pezulluar nga puna deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e Komisionit Disiplinor.
Deri atëherë, Prenkajt do t’i ndalohet hyrja në objektin e MPJD-së, dhe çdo veprim tjetër që mund “t’i cenojë/dëmtojë provat” sipas lëndës së iniciuar ndaj tij.
Vendimi për pezullimin e tij është bërë përkundër që Gjykata Themelore e Prishtinës, më 20 mars, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e Albert Prenkajt kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.