Prepotencë e papërgjegjësi

Shumë prepotencë e papërgjegjësi dëshmoi LDK’ja rreth pretendimeve për “skemë të organizuar kriminale” për votat e diasporës. Në vend që t’i trajtojë akuzat me seriozitet, u përpoq t’i fajësojë të tjerët. Njësoj e papërgjegjshme dhe prepotente u tregua qeveria, nëpërmjet ministrit Hekuran Murati, rreth kërkesës së presidentes për pezullimin e tarifave të importit për produktet amerikane.

Imer Mushkolaj                                

Publikimi i komunikimeve të njerëzve të rëndësishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës përkitazi me dyshimet për manipulimin e votave nga diaspora ka shkaktuar reagime të shumta. Kërkesa për qartësimin e “skemës së organizuar kriminale”, siç e ka quajtur Arben Gashi, ka nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësitë brenda LDK’së dhe, njëkohësisht akuzat, se “dikush” ka organizuar vjedhjen e votave të partisë nga diaspora, për njerëz të caktuar.

Shqetësimet janë serioze dhe lypsen, po ashtu, veprime serioze për t’i adresuar. Por, në vend të kësaj, lidershipi i LDK’së u përpoq që fajin ta hedh tjetërkah. Në vend se partia të merret seriozisht me manipulimet dhe skemën e organizuar, zyrtarë të saj thanë se ky është një shantazh nga parti të tjera, ajo Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, në mënyrë që LDK’ja të pranojë për t’u bërë pjesë e ndonjë koaliconi qeveritar. Pra, zyrtarët e partisë zgjodhën të mos e shohin “elefantin në dhomë”, por t’i fajësojnë të tjerët për manipulime të brendshme.

Secila parti serioze nuk do të vepronte kështu. Pakënaqësitë dhe akuzat do t’i diskutonte seriozisht dhe për to do të merrte vendime. Megjithatë, LDK zgjodhi tjetër rrugë, që s’ka të bëjë asgjë me “rrugën e re” shumë të proklamuar të një partie të përgjegjshme dhe serioze.

Për t’i shuar akuzat, lidershipi i partisë zgjodhi që t’i rehatojë në postet e nënkryetarëve të Komunës së Prishtinës dy nga të zëshmit që kërkonin të dinin se çfarë kishte ndodhur me votat e diasporës. Madje njëri nga ta aplikoi të bëhet qytetar i Prishtinës në kohën kur u zgjodh nënkryetar, duke shkelur ligjin, pasi që është e përcaktuar se për të marrë këtë pozitë, personi duhet të ketë qenë banor i komunës përkatëse së paku tre vjetët e fundit.

Pati zyrtarë të partisë që fajin e hodhën tek mediat dhe analistët. Madje, një nga ta dëgjova të thotë se pse mediat nuk po i publikojnë komunikimet përnjëherë, por pjesë-pjesë. Një tjetër tha se LDK po sulmohet nga të tjerët sepse është parti shumë e rëndësishme (edhe pse është renditur e treta në zgjedhjet e fundit, me 18 për qind përkrahje). LDK sillet si të jetë qendra e botës, ndërkohë që nuk merret me akuzat e brendshme. Përballë akuzave për hajni LDK’ja u soll me prepotencë e aroogancë, e jo me përgjegjësi e përgjegjshmëri. Një shembull i keq për një parti që premton qeverisje “ndryshe”.

* * *

Shembull të keq dha edhe Qeveria e Kosovës, nëpërmjet ministrit Hekuran Murati, në lidhje me mundësinë e pezullimit të tarifave të importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar qeverisë që t’i pezullojë ato, duke thënë se ky hap do të forcojë marrëdhëniet ekonomike me aleatin më të afërt të Kosovës dhe do të dërgojë një mesazh të qartë për gatishmërinë e vendit drejt një partneriteti më të fuqishëm me SHBA’në.

Pa takt dhe prepotent ishte reagimi i Muratit në këtë kërkesë. Ai tha se kërkesa nga presidenca në email i ka arritur “pas orarit të punës” dhe se “secili shtet serioz këto çështje i trajton larg mediave dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi”.

Çështja e tarifave në raport me SHBA’në nuk është veç çështje që ka të bëjë me tarifat në vetvete, por është më shumë se kaq. Në kohën kur raportet e Kosovës me amerikanët lënë shumë për të dëshiruar, përgjigjja e tillë nga një ministër është, më së buti thënë, mospërfillje dhe arrogancë.

Në këtë kohë vlimesh të paparashikuara politike e gjeostrategjilke, raporteve me SHBA’në duhet qasur në mënyrë të kujdesshme. Pezullimi i tarifave as që do të duhej të ishte problem për një vend si Kosova, i cili është çliruar dhe krijuar si shtet falë pikërisht vendosmërisë së amerikanëve. Përgjigjja e Muratit tregon se jo shumë gjëra kemi mësuar nga e kaluara. Fatkeqësisht, pak gjëra po mësojmë edhe nga e tashmja.

Të fundit nga rubrika