Presidenca është institucioni më i lartë në hierarkinë kushtetuese të Kosovës.
Por, ndonëse e ka këtë status, Zyra e Presidentit nuk ka një objekt të veçantë.
Që nga paslufta, ky institucion ndan të njëjtin objekt me Kuvendin e Kosovës.
Planin për zhvendosjen e Presidencës në objektin e Ministrisë së Kulturës e kishte hartuar ish-presidenti Hashim Thaçi, por ai mbeti në gjysmë pas dorëheqjes së Thaçit.
Por, kjo ide nuk është përkrahur nga pasuesja e Thaçit, presidentja Vjosa Osmani.
Kabineti i saj ka konfirmuar për RTV Dukagjinin se Presidenca nuk do të zhvendoset, por nuk janë dhënë më shumë detaje.
Mirëpo faktin se objekti aktual i Presidencës nuk i përmbush kushtet e thotë edhe eksperti i protokollit, Tomorr Avdiu.
“Për shkak se kjo hapësirë ndahet edhe me objektin e Kuvendit edhe në këtë rast të dy instuticione e kanë një përzirje të personelit edhe sa i përket funksionalitetit të tyre. Por, në rastet e tyre vizitat e delegacioneve të larta të niveleve shtetërore, pra kjo nuk i përmbush kushtet për arsye sepse sepse nuk e ka hapësiren e vet ku mund të zhvillohen ceremonitë e pritjes, nderimit dhe ceremonitë që janë të parapara të homologes të Presidencës”, ka thënë Avdiu.
Kur kishte nisur ideja që Presidenca të bartet në objektin e Ministrisë së Kulturës, ishte planifikuar që ky dikaster qeveritar të bartek në ndonjë objekt tjetër.
E, mos realizmit të këtij plani i janë gëzuar punëtorët e kësaj ministrie.
“Realisht për neve e konsiderojme si proces të mbyllur për faktin se na jem të informuar edhe pse jo zyrtarisht, presidentja e vendit ka marrë një vendim ku tërë këtë proces e kanë anuluar si proces instuticional, dmth që objekti i Presidencës nuk do të bartet në Ministrinë e Kulturës”, është shprehur Labinot Berisha, Kryesindikalist i MKRS-së.
Kërkesë për t’u zhvendosur në këtë objekt kishte bërë edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga.
Në Qeveri kjo kërkesë ishte dorëzuar më 2014, por për shkak të kostos së madhe Presidenca ishte tërhequr.