Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se Shqipëria mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
I pari i Shqipërisë, ndër të tjera ka theksuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Albania supports visa liberalization for Kosova and emphasizes negotiations between #Kosova and #Serbia should conclude with mutual recognition.
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) October 27, 2022
Po ashtu, disa herë Begaj ka deklaruar se dialogu në mes të të dyja vendeve është e vetmja mënyrë për zgjidhje të problemeve.
Ndërkaq, të enjten e 27 tetorit, gjatë vizitës së saj në Kosovë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka rikonfirmuar edhe një herë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Von der Leyen ka thënë se tashmë ka mbetur që të bindet edhe Këshilli Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave.
“Kosova e meriton liberalizimin e vizave, i keni përmbushur të gjitha standardet, duhej të bëhej në korrik të vitit 2018, tanimë e kemi konfirmuar që keni përmbushur, detyra jonë është të bindim Këshillin Evropian, kemi punuar me presidencën çeke, mund të llogarisni në mua personalisht, do të mundohemi të bëjmë gjithçka pasi po bëni një punë mbresëlënëse përkundër vështirësive, luftës në Ukrainë që ka dërguar valë shokuese në gjithë botën”, ka deklaruar ajo.
Ajo, ndër të tjera, ka përgëzuar Kosovën për reformat që ka arritur të bëjë në vitin e kaluar, për të cilat sipas saj ka dëshmuar edhe raporti i Komisionit Evropian.
“Ju uroj për këtë punë të zellshme që është reflektuar në raportin për zgjerim, përpjekjet për antikorrupsion dhe sundim të ligjit, janë vërejtur, jeni duke ndërtuar hap pas hapi jo vetëm gjyqësorin por edhe ekonomi solide të tregut”, ka vijuar ajo.
Shefja e Komisionit Evropian, Von der Leyen ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Kosovën.
Von der Leyen: Evropa nuk është e plotë pa Kosovën, do t’ju mbështesim aq sa mundemi