Presidenti Begaj: NATO do të ndëshkojë dhunën nga kushdo që promovohet

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, lidhur me situatën në veri të Kosovës ka deklaruar se ekziston rreziku që strukturat kriminale atje ta provokojnë situatën për të eskaluar gjendjen, struktura për të cilat ai ka thënë se e kanë mbështetjen e Serbisë

Bajram Begaj, President i Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në lidhje me takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, që pritet të mbahet në Bruksel ka thënë se ato janë takime me rëndësi të veçantë, sepse kanë të bëjnë me sigurinë e vendit dhe të rajonit.

Në një intervistë për RTK, Begaj ka thënë se mesazhi nga NATO do të jetë i qartë, kushdo që promovon dhunën do të ndëshkohet dhe do të margjinalizohet.

Presidenti Begaj lidhur me situatën në veri të Kosovës ka deklaruar se ekziston rreziku që strukturat kriminale atje ta provokojnë situatën për të eskaluar gjendjen dhe për këtë ka thënë se ato struktura kanë mbështetjen e shtetit serb.

Ndërsa, për institucionet shtetërore të Kosovës ka shtuar se duhet ta ruajnë qetësinë.

“Ka rrezik për eskalim të situatës në veri të Kosovës. Atje ka struktura kriminale të përkrahura nga elementet shtetërore që mund të cenojnë sigurinë. Ajo që mund të them është që të ruajmë qetësinë dhe të marrim cdo incident me qetësi e ta raportojmë në media e të mos lëmë Serbinë që të keqinformojë për ngjarje të caktuara”, shtoi presidenti Begaj.

I pyetur për Shqipërinë në rast të ndonjë eskalimi të situatës, ai ka shtuar se shteti shqiptar do të qëndrojë në krah të Kosovës me të gjitha mjetet.

Por presidenti Begaj vuri theksin më shumë te rruga paqësore, te dialogu që sipas tij, është rruga e duhur për të arritur paqen e përhershme në rajon.

Ndërsa për arsyet se pse ka dështuar takimi mes tij dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, ai ka thënë se takimet ishin paraparë të mbaheshin në tempullin e demokracisë në Kuvendin e Kosovës, dhe se ftesat ishin dërguar që të tre liderët e partive opozitare të ishin të pranishme bashkërisht në takim.

“Këtë kisha qëllim, por fatkeqësisht nuk arrita, LDK në përgjigjen e saj ka thënë se do të isha i mirëpritur në zyrat e tyre”, ka thënë Begaj.

“Doja të bisedonin bashkë, si vëllai më vllanë, dhe ftesa ime ishte e sinqertë për të gjithë, dhe doja që cdo takim dhe diskutim të bëhej në nivelin që i takon presidentit të Republikës”, ka thënë ai.

Presidenti Begaj ka theksuar se Presidenti i Shqipërisë ka një mision kushtetues, ka një betim mbi Kushtetutë për detyrën e tij në lidhje me unitetin kombëtar.

“Ardhja ime këtu dhe takimi me të gjithë funksionarët kryesorë të shtetit të Kosovës tregon që ne duhet të bëjmë më të mirën të gjithë bashkë, në interes dhe në dobi të kombit tonë”, tha më tutje Begaj.

Ai ka thënë ndër të tjera se vizita e tij në një gjendje tensioni në veri të Kosovës, ishte një lloj mbështetje për Kosovën lidhur me ngjarjen e 31 korrikut.

Duke shprehur kënaqësinë e tij për vizitën e parë shtetërore në Republikën ë Kosovës, që nga nominimi i tij si president i Shqipërisë, ai përmendi traditën pozitive që kanë vënë paraardhësit në krijimin e “marrëdhënieve të shkëlqyera në mes të dyja vendeve”

Teksa përmendi ngjarjet e lavdishme të popullit, ai vuri theksin te Lidhja e Prizrenit, ku, sipas tij, është një nga ngjarjet më të rëndësishme që ka lënë gjurmë në historinë e këtij vendi.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika