Të premten e 26 gushtit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.
Presidenti Begaj ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. Begaj, gjithashu, ka shprehur mirënjohje për ndihmën e çmuar që Luksemburgu dha për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019, në Shqipëri.
Në këtë takim presidenti i Shqipërisë ka thënë se mbështetja domethënëse e Luksemburgut për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka marrë një rëndësi edhe më të madhe gjeopolitike, veçanërisht, pas agresionit të armatosur rus në Ukrainë.
“Presidenti Begaj e falënderoi Kryeministrin Bettel edhe për hapësirat dhe kushtet që Luksemburgu i ka krijuar komunitetit shqiptar, që jeton e punon atje. Kreu i Shtetit dhe Kryeministri Bettel vunë theksin te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi, si e vetmja rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit”, thuhet në njoftimin për shtyp nga Presidenca e Shqipërisë.