Për nder të Ditës së Pavarësisë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të vizitojë Kosovën së bashku me një delegacion shoqërues më 17 dhe 18 shkurt.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të marrë masa sigurie për të garantuar rendin dhe qetësinë publike gjatë lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror.
Në kuadër të aktiviteteve të shënimit të Ditës së Pavarësisë dhe vizitave të personaliteteve të ndryshme në Kosovë, do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore dhe afër objekteve shtetërore.
Policia do të sigurojë riorientimin e trafikut në rrugë alternative, duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.
“Gjithashtu me rastin e shënimit Ditës së Pavarësisë, aktiviteteve në shesh dhe vizitave të personaliteteve të ndryshme në Republikën e Kosovës, për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj kërkojmë mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e sigurisë dhe të bëjnë durim gjatë periudhës së ndërprerjeve të trafikut, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare.