Kjo është hera e parë në 27 vite që një president gjerman viziton Shqipërinë.
Sipas agjendës së publikuar nga presidenca gjermane, në orën 11:30 presidenti gjerman do t’i drejtohet seancës plenare, ku do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Më pas, presidenti federal i Gjermanisë pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama.
Në agjendë, Frank-Walter Steinmeier ka të planifikuar edhe një takim me nxënës nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në një diskutim mbi ballafaqimin me të kaluarën komuniste dhe një vizitë në një kompani gjermane.
Gjatë qëndrimit dy ditor në Shqipëri, Steinmeier do të zhvillojë një vizitë në Berat dhe një vizitë në Muzeun e Sigurimit “Shtëpia me Gjethe”.
Vizita e presidentit Gjerman, Steinmeier, vjen vetëm 5 ditë para samitit BE-Ballkani Perëndimor, që për herë të parë do të zhvillohet në Tiranë. Gjithashtu, vizita vjen edhe si pjesë e një turi 4-ditor që Steinmaier e zhvillon në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, dy vende që këtë vit nisën bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Para vizitës në Shqipëri, ai zhvilloi një vizitë edhe në Maqedoninë e Veriut. Gjatë vizitës atje ai foli për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se “propozimi franko-gjerman është i suksesshëm dhe po pranohet”. “Kjo mund të nxisë palët e interesuara drejt një zgjidhjeje”, u shpreh ai, ndërsa bëri apel që të vazhdohet bashkëpunimi në dialogun e lehtësuar nga BE.
Në konferencën me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Steinmeier foli edhe për rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bllokun Europian. “Ndryshimet kushtetuese do të mundësojnë hapjen e qetë të negociatave me BE-në”, u shpreh Presidenti gjerman, duke risjellë në vëmendje dhe zbatimin e reformave të nevojshme që afrojnë Maqedoninë e Veriut me Unionin.