Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës (FFF), Noel Le Graet, është nën hetime për “ngacmim seksual” dhe “ngacmim moral”, ka thënë të martën zyra e prokurorit të Parisit.
Po ashtu, zyra e prokurorit ka thënë se hetimi është hapur të hënën, pas një raporti nga Inspektorati i Përgjithshëm i Arsimit, Sportit dhe Kërkimit. Ai do të kryhet nga një njësi e posaçme e policisë dedikuar krimeve kundër individëve.
Hetimi ka filluar pasi agjentja sportive, Sonia Souid, ka akuzuar Le Graet për sjellje të pahijshme gjatë disa viteve, duke thënë se ai ishte i interesuar vetëm për të seksualisht.
Souid në një intervistë për të përditshmen sportive L’Equipe, ka thënë se Le Graet u përpoq vazhdimisht t’i afrohej asaj nga viti 2013-17.
81-vjeçari, Le Graet, ra dakord javën e kaluar të tërhiqej nga detyrat e tij si president i Federatës pas një takimi urgjent të komitetit ekzekutiv për sjelljen e tij.
Le Graet është duke u përballur me disa pretendime për ngacmime seksuale dhe federata e futbollit është objektivi i një hetimi të urdhëruar nga ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Castera.
Le Graet u rizgjodh president për një mandat katërvjeçar marsin e kaluar
Le Graet, i cili gjithashtu është kritikuar këtë muaj për një mosrespektim të perceptuar ndaj të madhit të futbollit francez, Zinedine Zidane, ka rënë dakord të largohet nga roli i tij derisa gjetjet e auditimit të jenë shqyrtuar plotësisht nga komiteti ekzekutiv, me gjasë deri në fund të janarit.
Deri atëherë, ai do të zëvendësohet në një detyrë të përkohshme nga zëvendëspresidenti i federatës, Philippe Diallo.
Oudea-Castera urdhëroi një hetim ndaj federatës në shtator, pasi organi ka thënë se do të ngrinte një padi për shpifje kundër revistës So Foot, e cila ka raportuar se Le Graet dyshohet se ngacmonte disa punonjëse femra.
Revista franceze ka publikuar një hetim prej gjashtë faqesh duke cituar ish-punonjës anonimë dhe aktualë, dhe mesazhe të papërshtatshme që Le Graet dyshohet se u dërgonte grave.
Ai është aktualisht një kandidat për një mandat tjetër katërvjeçar në Këshillin e FIFA-s, komitetin vendimmarrës të organit ndërkombëtar të futbollit, raporton Marca.
Souid, e cila ka thënë se u takua për herë të parë me Le Graet në vitin 2013, ka shtuar se ai i dërgoi asaj mesazh për ta kërkuar ose për t’i thënë se i mungonte.
Po ashtu, ajo është shprehur se ai kurrë nuk shkoi shumë larg verbalisht, por e bëri të qartë se ajo duhet të bënte seks me të për të çuar përpara idetë e saj.
I pyetur nëse Le Graet e ndihmoi atë profesionalisht në një moment, Souid ka thënë se ai e ndihmoi të gjente numrin e telefonit të trajnerit Corinne Diacre dhe se ai u përpoq ta ndihmonte me biletat e aeroplanit të klasit të biznesit për lojtarin francez, Amandine Henry.