Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvics, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të heqë sa më parë masat kufizuese ndaj Kosovës, të vendosura gati dy vjet më parë.
“Qëndrimi i vendit tim është që BE-ja duhet t’i heqë ato masa. Për këtë avokojmë dhe sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë do të jetë,” ka deklaruar Rinkēvics në konferencën për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë.
Gjatë takimit, ata diskutuan për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen që BE-ja mund t’i ofrojë Kosovës.
Rinkēvics ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve, si dhe rikonfirmoi mbështetjen e Letonisë për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës.
Megjithatë, ai pranoi se nuk mund të premtojë që Kosova do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit, duke theksuar se një vendim i tillë kërkon unanimitet nga të gjitha shtetet anëtare.
Presidenti letonez përgëzoi Kosovën për harmonizimin me politikat e BE-së dhe për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës.
Ai gjithashtu ka njoftuar se gjatë vizitës në Kosovë do të takojë trupat letoneze që janë pjesë e misionit të KFOR-it.