Presidenti i përkohshëm sirian viziton Arabinë Saudite – sinjal potencial për Iranin

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, e ka realizuar vizitën e tij të parë jashtë shtetit në Arabinë Saudite, dhe ky vendim po shihet si sinjal për distancimin e Damaskut nga Irani, dikur aleat kryesor rajonal.

Ahmad al-Sharaa, i cili dikur kishte lidhje me Al-Kaidën, ka arritur në Riad bashkë me ministrin e Jashtëm të Qeverisë së tij, Asaad al-Shaibani. Dy burrat kanë udhëtuar me aeroplan saudit.

Televizioni shtetëror saudit e ka trumbetuar faktin që al-Sharaa, i njohur edhe si Abu Mohammed al-Golani, ka vendosur ta bëjë vizitën e parë jashtë shtetit në Riad.

Ai është takuar me liderin de facto të Arabisë Saudite, princin Mohammed bin Salman, në pallatin al-Yamamah në Riad.

Arabia Saudite ka qenë ndër vendet kryesore arabe që ka ndarë fonde për grupet kryengritëse, që kanë tentuar të rrëzojnë nga pushteti Bashar al-Assadin, pas nisjes së protestave më 2011, të cilat u shtypën përgjakshëm nga pushteti dhe nisën luftën civile.

Në dhjetor të vitit 2024, grupi i udhëhequr nga al-Sharaa, Hayat Tahrir al-Sham [HTS], ka nisur ofensivë të shpejtë, që ka rezultuar me rrëzim të Assadit nga pushteti.

Grupi i Sharaas ka qenë dikur i lidhur me Al-Kaidën, mirëpo i ka prishur lidhjet me kalimin e kohës.

HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Irani nuk e ka rihapur ende ambasadën në Damask, vend në të cilin ka kryer shumë operacione përmes të ashtuquajturit Bosht i Rezistencës, përfshirë Assadin në Siri, Hezbollahun në Liban dhe partnerë tjerë.

Rusia, në anën tjetër, e ka humbur qasjen në bazat e veta ushtarake në Siri, prej largimit të Assadit nga Siria.

Vetë presidenti rus, Vladimir Putin ia ka miratuar azilin atij dhe familjes së tij në Moskë.

Veprimet e Sharaas duket se mëtojnë të sigurojnë Perëndimin për qasjen e re, me qëllim të heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë.

Rindërtimi i shtetit pas një dekade të luftës do të kushtojë qindra miliarda dollarë, pa përmendur edhe nevojat e popullit sirian, pasi një pjesë e mirë e tyre kequshqehen.

Ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan e ka vizituar Damaskun në janar dhe ka thënë se Riadi është i angazhuar në dialog për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.

Arabia Saudite, për dallim prej Turqisë dhe Katarit, pati rikthyer lidhjet me Assadin më 2023, sikurse shumica e vendeve të botës arabe.

Heqja e sanksioneve mund të ndikojë në thellim më të madh të marrëdhënieve.

Ndërkohë, Qeveria e përkohshme e Sirisë vazhdon të përballet me sfida për shkak të prezenës së grupit ekstremist, Shteti Islamik dhe grupeve tjera brenda territorit sirian./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Nora Gjakova fiton medaljen e bronztë në Paris

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, që është e treta nga Franca për Kosovën. Gjakova e fitoi duelin...

Distria e fiton medaljen e bronzt në Grand Slamin e...

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris. Xhudistja kosovare fitoi me waz-ari ndaj xhudistet nga...

Shkruan Romeo Çollaku, përkthyesi i romanit “Lugina e lumit Issa”...

Përkthyesi i librit, Romeo Çollaku, ndan me lexuesit historinë e “Lugina e lumit Issa” shkruar nga autori polak Czesław Miłosz. Nga ROMEO ÇOLLAKU Romani Lugina e lumit...

Të fundit nga rubrika