Presidenti i Kinës, Xi Jinpig dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin planifikojnë të marrin pjesë në samitin e Grupit 20 në Bali në nëntor, thotë presidenti indonezian Joko Widodo.
G20 do të jetë samiti i parë global që nga pushtimi rus i Ukrainës dhe tensionet e rritura mbi Tajvanin ndërsa, informacioni për pjesmarrjen e dy liderëve paraqet konfirmimin e parë të prezencës së tyre.
“Xi Jinping do të vijë. Presidenti Putin gjithashtu më ka thënë se do të vijë,” tha Widodo.
Kjo do të jetë hera e parë që Xi largohet nga Kina që nga janari i vitit 2020 kur vendi mbylli kufijtë e tij në fillim të pandemisë COVID-19. Që atëherë, ai u largua vetëm nga kontinenti për të shënuar 25 vjetorin e kthimit të Hong Kongut në Kinë, më 1 korrik të këtij viti.
Samiti i nëntorit do të jetë i shumëpritur duke qenë se pritet të marrë pjesë edhe Presidenti i SHBA-së, Joe Biden. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai do të takohet me Putinin.
Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë acaruar për shkak të të drejtave të njeriut, tregtisë dhe së fundmi edhe vizitës së politikanes amerikane, Nancy Pelosi në Tajvan, udhëtimi ky që e shtyu Kinën të kryente gati një javë stërvitje ushtarake rreth ishullit të vetëqeverisur, të cilin ajo pretendon si pjesë të territorit të saj.
Uashingtoni më herët bëri thirrje që G20 të heqë anëtarësimin e Rusisë dhe të tërheqë ftesën e Putinit për samitin për luftën në Ukrainë.
Ndërkohë, Indonezia është pozicionuar si një paqebërës midis vendeve, transmeton “BBC”.
Në fillim të kësaj jave, udhëheqësi indonezian tha se Rusia dhe Ukraina e kishin pranuar vendin e tij si një “urë paqeje”.
Në qershor, ai ishte lideri i parë aziatik që udhëtoi në Kiev dhe Moskë për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus, Putin. Gjatë takimeve ai bëri thirrje për përfundimin e luftës dhe zgjidhjen e krizës globale të ushqimit.