Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka komentuar rrezikun e ndërhyrjeve të jashtme në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rolin kritik të KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Ai vuri në dukje se pa praninë e KFOR-it, rajoni do të kishte përjetuar shpërthime të dhunshme që do ta shkatërronin vendin gjatë këtyre viteve.
“Për 25 vite, KFOR-i ka qenë i përkushtuar ndaj këtij misioni. Kam ndjekur nga afër situatën dhe kam vërejtur se tensionet lokale ndonjëherë nxehen qëllimisht, duke e vështirësuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Misioni juaj për ta mbajtur këtë dialog gjallë është jetik”, ka thënë presidenti Mattarella, raporton ANSA.
Presidenti italian gjithashtu theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian varet nga një klimë e qetë në rajon.
“Përfshirja e të gjithë rajonit të Ballkanit në BE kërkon qetësi”, ka shtuar, duke theksuar rolin e rëndësishëm të forcave ndërkombëtare për stabilitetin.